Duket se shpallja e parakohshme e fituesve të çmimeve prestigjoze në futboll është bërë diçka e zakonshme. Pasi u mësua para kohe se Kristiano Ronaldo do të ishte fituesi i ”Topit të Artë” 2016, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me 11-shin më të mirë të vitit.
Në internet ka dalë formacioni i përzgjedhur nga votat e futbollistëve profesionistë, e që zyrtarisht do të shpallet në ceremoninë e organizuar nga FIFA më 9 janar në Zyrih të Zvicrës.
Ky është formacioni i publikuar: Neuer; Ramos, Pique, Thiago Silva, Marcelo; Kroos, Modric, Iniesta, Ronaldo, Messi, Neymar.
Megjithatë, “FIFPro” – Organizmi i Futbollistëve Profesionistë, që e organizon votimin – përmes një reagimi në “Twitter” sqaron se formacioni i dalë në media nuk është i vërtetë. “Sipas raportimeve, 11-shi i vitit ka dalë në media, por aty nuk ka asgjë të vërtetë. Skuadra do të shpallet të hënën e 9 janarit, në orën 18:35”, thuhet në deklaratë.