Ndjekja e gjatë e CR7 mund të përfundojë nesër, kur do të jepet zyrtarisht Topi i Artë i 2017-ës. Kandidati favorit për të fituar është Cristiano Ronaldo që, në rast triumfi (do të ishte i dyti radhazi), do të ishte i pesti për të, po aq sa rivali i madh Leo Messi. Në listën e 30 kandidatëve ka edhe lojtarë si Neymar, Dybala, Hazard dhe De Bruyne, por për këta ka më shumë mundësi që të flitet vitin e ardhshëm si pretendentë seriozë. Kështu, ka filluar numërimi mbrapsht për Topin e Artë të këtij viti, për të cilin do të jenë në garë Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo.  Ylli i Real Madrid është në “pole position” falë triumfit si protagonist në Champions League (i dyti radhazi pas atij në 2016-ën), në La Liga, Botërorin për Klube dhe kualifikimit në Kupën e Botës me Portugalinë, shkruan “T.S”, përcjellë “Korneri.net.

CR7, në ndeshjet zyrtare, ka shënuar 46 gola në total në këtë vit kalendarik (18 vetëm në Champions), pavarësisht një fillim sezoni aspak të mirë. Në sezonin 2017/18, për momentin, ka shënuar vetëm 2 gola në La Liga dhe 1 në Superkupën e Spanjës, ndërsa ka shënuar 8 në Champions League. Messi, siç u tha, duket se do të duhet të kënaqet me vendin e dytë. Ai ka shënuar 17 gola me Barcelona-n nga gushti e deri më sot. Nuk mund të harrohet edhe tregolëshi i realizuar kundër Ekuadorit, që i dhuroi Argjentinës kualifikimin në Kupën e Botës. Ndër të tjera, “Pleshti”, është në avantazh për numrin e golave të realizuar në vitin kalendarik (52), por sezonin e kaluar ka fituar vetëm Kupën e Mbretit.

Kundër dy fenomeneve të tillë, nuk është e lehtë për askënd dhe, në fakt, Buffon, edhe këtë herë, duhet të heqë dorë nga një vlerësim që do ta meritonte për shkak të karrierës së tij të jashtëzakonshme. Numri 1 i Juventus, i shpallur portieri më i mirë i sezonit të kaluar të Champions League, ka fituar titullin e gjashtë radhazi me bardhezinjtë në Itali dhe ka qenë vendimtar në Evropë me vetëm 3 gola të pësuar, deri në finalen e luajtur kundër Real Madrid, kur “Los Blancos” kanë arritur të shënojnë katër herë në 70 minuta (nga goli i Ronaldo-s në minutën e 20-të tek ai i Asensio në fund). Rezultate këto që, gjithsesi, nuk do t’i mjaftojnë Gigi-t për të triumfuar para dyshes së lartpërmendur. E njëjta gjë vlen edhe për Dybala, protagonist i 2017-ës (deri tani) me 29 gola në total dhe, sigurisht, gati për të lënë mbrapa CR7 dhe Messi.

Përveç “Joya”, kandidati numër një për të thyer dominimin Ronaldo-Messi është Neymar. Braziliani, i transferuar te PSG këtë verë, po udhëheq francezët me 9 gola (plus 6 asiste) në Ligue 1 dhe 6 gola në Champions. Në total, ish-lojtari i Barcelona-s ka shënuar 31 gola në 2017-ën dhe pritet që ai të jetë favorit për të marrë trashëgiminë e Leos dhe Cristianos. Pak më mbrapa janë Hazard, Sergio Ramos dhe De Bruyne. I pari ka qenë thelbësor në suksesin e Chelsea-it të Antonio Conte-s në Premier League, por 19 golat e shënuar në 2017-ën dhe disa probleme fizike e kanë nxjerrë jashtë loje bashkë me mbrojtësin spanjoll, kapitenin e Real Madrid-it që fitoi gjithçka dhe që ka qenë vendimtar në La Liga me 7 gola në sezonin 2016/17.

Edhe De Bruyne do të duhet të kënaqet me një pozicionim mes 10 të parëve, në pritje për të nisur sulmin ndaj kreut. Një vend special ku, në dhjetë vitet e fundit, kanë qëndruar vetëm dy alienë./Korneri.net.

Artikulli paraprakAsnjë spanjoll nuk është si Guardiola! Trajneri i Man. City me këtë jubile u bashkohet të mëdhenjëve në Champions League
Artikulli tjetërChampions League, ja disa nga ndeshjet e mundshme spektakolare të fazës tjetër