Roma ngec që në startin e Serisë A, në ndeshjen e shtëpisë kundër Salernitanës, e mbyllur në barazim 2-2. Dy gola për Andrea Belottin, mes finalizimeve të të cilit realizoi dy herë Candreva. Mourinho aktivizon në pjesën e dytë dy blerjet e fundit, Paredes dhe Sanches, por përtej rasteve të krijuara, nuk u arrit përmbysja e madhe.

Roma – Salernitana 2-2

Andrea Belotti shënon golin e parë për Romën në Serinë A në sezonin e ri futbollistik.

Ish-sulmuesi i Torinës, i përzgjedhur titullar nga Mourinho në sfidën hapëse ndaj Salernitanës, e zhbllokoi takimin në minutën e 17-të, pas asistit të marrë nga Llorente.

Më herët (në minutën e 8-të), sulmuesit verdhekuq iu anulua një gol për pozicion jashtë loje. Kundërpërgjigjja e Salernitanës erdhi në minutën e 37-të me golin e Candrevas, pas një shpërqendrimi të mbrojtjes verdhekuqe. Sapo nisi pjesa e dytë, Candreva, një ish i Lazios, realizon golin e dytë personal, me një goditje fantastike në hyrje të zonës.

Roma pas këmbënguljes së gjatë, gjen golin e barazimit me të njëjtin autor, Belottin, në minutën e 82-të. Vlen të theksohet Roma vjen në javën e parë me katër mungesa, Abraham i dëmtuar, Dybala i dëmtuar dhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Kumbulla gjithashtu i dëmtuar, si dhe Pellegrini që mungon prej kartonëve.

Sassuolo – Atalanta 0-2

Atalanta i bën nisjen e duhur Serisë A, duke fituar 0-2 në fushën e Sassuolos me gola të De Ketelaere dhe Zortea. Berat Gjimshiti fiton derbin kuqezi me Nedim Bajramin, që u zëvendësua në pjesën e dytë.

Afrimi i ditëve të fundit, belgu Charles De Ketelaere, nderon Atalantën në sfidën me Sassuolon në transfertë. Ish-i Milanit e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 84-t, pas pasimit të marrë nga Ruggeri.

Kujtojmë që kjo sfide ishte edhe një derbi shqiptarësh: Nedim Bajrami kundër Berat Gjimshitit. Mesfushori i Sassuolos qëndroi në fushë deri në minutën e 62-të, për t’u zëvendësuar nga Thorstvedt. Në kohën shtesë, zikaltrit e Bergamos shënuan edhe golin e dytë me Zortea.

Artikulli paraprakWest Ham e fitoi derbin e Londrës, Chelsea i mjerueshëm
Artikulli tjetërBarça e sigurtë, Yamal thyen rekordin e klubit