Sapo janë mbyllur katër ndeshjet e javës së shtatëmbëdhjetë të kampionatit italian të luajtura në orën 15:00. Roma ka fituar me një rezultat të ngushtë në transfertë (1-0) falë një autogoli të Izzo në minutën e 36-të dhe ka shkuar vetëm një pikë larg Juventus-it kryesues që do të luajë sot në mbrëmje kundër Bologna-s, në shtëpi, por që ka edhe një ndeshje më pak.
Me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Lazio, që ka mundur në “Olimpico” Crotone-n e vendit të parafundit. Goli që ka vendosur ndeshjen është realizuar nga Immobile në minutën e 90-të.
Në dy ndeshjet e tjera të orës 15:00, Atalanta e Etrit Berishës ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke mundur 4-1 skuadrën e Chievo-s. Miqtë kanë shënuar tre gola në 45 minutat e para me Gomez (4’, 23’) dhe Conti (42’). Vendasit kanë ngushtuar diferencat me Pellissier në të 62-ën, teksa Feuler ka fiksuar shifrat në 4-1 në të 69-ën. Në fund, sfida mes Sassuolo-s dhe Torino-s është mbyllur në barazim pa gola.