Njëzet minuta përpara kohe, në startin e aventurës së re te Milani. Mëngjesin e kësaj të mërkure, Li Yonghong zbarkoi në aeroportin e Malpensa-s në orën 7.20 minuta, me një fluturim direkt nga Hong Kong-u.

Xhaketë e errët dhe një bluzë e bardhë, i buzëqeshur dhe njëkohësisht i befasuar nga interesimi i mediave. Zoti Li u largua nga aeroporti pa dhënë asnjë deklaratë për tu transferuar në hotelin që gjatë këtyre ditëve do të jetë selia e tij, nga ku do të drejtojë fazën finale të operacionit për blerjen e Milanit.

Pjesë e stafit të tij janë 11 persona, mes të cilëve edhe drejtori i përgjithshëm i fondit “Haixia” dhe anëtari i ardhshëm i bordit të klubit kuqezi, Lu Bo dhe sipërmarrësi Xu Renshuo. Megjithatë, figura kryesore mbetet Zoti Li.

Më në fund ai është paraqitur në Milano, ku nuk mbetet gjë tjetër përveç mbylljes së marrëveshjes për blerjen e kuqezinjve. Negociatat pa fund dhe shtyrjet krijuan idenë e prishjes së akordit, që u zhbllokua nga financimi i fondit amerikan “Elliott”.

Gjatë ditës së enjte pritet hedhja e firmave te noteri. Pikërisht ky moment do vulosë edhe kalimin e Milanit në pronësi të kinezëve. Më pas darka në Arkore me Berlusconi-n dhe konferenca për shtyp gjatë paradites së të premtes dhe asambleja e ortakëve nga ku do të dalë edhe bordi drejtues i klubit. Më pas do ti hapet rruga derbit të Milanos që për herë të parë do të jetë i gjithi “Made in Kina”.

Raporti: Supersport.al

Artikulli paraprak“Ciao” Blerim Xhemajli
Artikulli tjetërFormacionet zyrtare: Atletico Madrid – Leicester City