Përfaqësuesja e Italisë në volejball për meshkuj vazhdon ëndrrën drejt medaljes së artë olimpike. Përfaqësuesja e kaltër u kualifikua në finale, ku në aktin e fundit i pret sfida me Brazilin organizator.

Italianët fituan me vështirësi duke mposhtur me tie-break Shtetet e Bashkuara në një sfidë emocionuese. Pasi fitoi periodën e parë me rezultatin 30-28, skuadra e Blengini-t humbi setin e dytë me shifrat 26-28, ndërsa në setin e tretë praktikisht u dorëzua, duke shënuar vetëm 9 pikë.

Italia vuajti edhe në setin e katërt, ku për një kohë të gjatë ishte në ndjekje të rivalëve, ndërsa gjithçka ndryshoi në fund, me shërbimet e jashtëzakonshme të Zaytsev, që arritën shpejtësinë deri në 122 km/h.

Të kaltërit u rikthyen fuqishëm në tie-break dhe në fund triumfuan 15-9. Tashmë ata do të kërkojnë medaljen e parë të artë olimpike në volejboll për meshkuj.

Misioni përballë Brazilit nuk është aspak i lehtë, me vendasit që fituan 3-0 në gjysmëfinalen përballë Rusisë. Në finalen e së dielës, Italia do të kërkojë të thyejë tabunë dhe të hakmerret ndaj latinëve për disfatën e pësuar në Olimpiadën Athinë 2004.

Artikulli paraprakAndy Murray, kalon në gjysmëfinalen e Cincinatit
Artikulli tjetërNuk shitet, kontrata e re u nënshkrua