Një legjendë e gjallë vetëm kështu mund të konsiderohet Michael Pelphs, pa të sporti i notit nuk do të ishte ndoshta kaq i bukur. Peshkaqeni nga Baltimore nuk di të ndalet duke fituar një tjetër medalje të Artë në Lojrat Olimpike, Rio 2016-të. Me kohën 1 minutë 54 sekonda e 66 të qindat, 31-vjecari dominoi edhe garën e 200 metrave stil miks për meshkuj duke fituar medaljen e 4-t të Artë në këtë Olimpiadë por edhe arin numër 22 në karrierë në Lojrat Olimpike. Phelps mposhti edhe njëherë tjetër bashkëkombasin e tij Lochte i cili e mbylli garën vetëm i 5-ti. Në podium bashkë me Phelps u ngjitën japonezi Hagino që fitoi medaljen e Argjendtë dhe kinezi Whang që me kohën 1 minutë 57 sekonda e 5 të qindat bëri të tijën medaljen e Bronzit në 200 metra stil miks për meshkuj. Për Phelps megjithatë Olimpiada e Rios nuk mbaron këtu. Amerikani i cili përpara këtyre lojrave kishte përcaktuar objektivin e tij që ishte ai fitimit të 4 medaljeve të Arta mund ta cojë në 6 numrin e tyre nëse triumfon në garat e 100 metrave stil flutur dhe 4*100 stil miks me përfaqësuesen amerikane. Mos quani thjeshtë Michael Pelphs as peshkaqeni nga Baltimore pasi emri i tij kalon cdo përmasë, ai është më i madhi i të gjitha kohrave në sportin e notit, është një legjendë e gjallë dhe këtë po e konfirmon edhe në Rio De Janiero.

Në Rio kishte festë edhe për një tjetër notar amerikan, pikërisht për Ryan Murphy-in që triumfoi në garën e 200 metrave stil shpinë për meshkuj duke bërë të tijën medaljen e Artë. Pasi kishte triumfuar në garën e 100 metrave stil shpinë Murphy u konfirmua si më i miri në këtë disiplinë edhe në garën e 200 metrave edhe pse në garat kualikuese kohën më të shpejtë e kishte regjistruar notari rus Evgeny Rylov. Medalja e Argjendtë u fitua nga austrliani Mithcel Larkin ndërkohë që rusi Rylov u mjaftua vetëm me vendin e tretë duke marrë medaljen e Bronztë.

Surpriza e madhe e ditës u regjistrua në garën e 100 metrave stil i lirë për femra ku amerikania Cate Cambell që ishte edhe favoritja e madhe për suksesin final e mbylli garën në vendin e 6-të. Por cuditë në këtë disiplinë nuk kishin e fund sepse gara u fitua nga dy notare amerikanja Simone Manuel dhe 16-vjecarja kanadeze Penny Oleksiak. Me kohën 52 sekonda e 70 të qindtat dy notaret vendosën një rekord të ri olimpik në këtë disiplinë duke ndarë mes tyre edhe medaljen e Artë. Dicka e tillë nuk ndodhte në garën 100 metrave stil i lirë për femra që nga Olimpiada e vitit 1984. Medalja e Bronztë u fitua nga suedezja Sara Sjostrom që më herët kishte fituar medaljen e Artë në garën e 100 metrave stil flutur.

 

Raporti: Supersport.al

Artikulli paraprakRio 2016: Murray e Nadal kualifikohen në çerkefinale
Artikulli tjetërLajm befasues nga Gjermania: Ozil mund të transferohet te ky gjigant botëror