Migjen Basha po përjeton një rini të dytë me skuadrën e Barit. Në një sezon ku atij i është lënë në dorë “regjia” e ekipit nga trajneri Fabio Groso, mesfushori 30-vjeçar i përfaqësueses kuqezi po tregon të gjithë talentin e tij duke qenë vendimtar për ekipin i cili mban vendin e parë në Serinë B.

Basha, i cili fatmirësisht nuk ka pasur problemet e theksuara fizike të sezoneve të kaluara, ka luajtur 10 ndeshje në këtë edicion, duke shënuar 2 gola. Por mbi të gjitha, ai ka qenë iniciator i çdo manovre sulmuese të skuadrës së tij, e cila ka gjetur regjizorin që i nevojitej për t’i udhëhequr drejt kthimit në A, ku mungon prej vitit 2011.

Statistikave personale, u shtohen edhe vlerësimet nga mediat. Sipas portalit “MË”, mesfushori i përfaqësueses është ndër më të vlerësuarit në Serinë B, pasi renditet mes 20 futbollistëve që kanë notën më të lartë nga ndeshjet e luajtura deri tani. Basha ka një mesatare note 6,3 për 10 ndeshjet që ka luajtur, që tregon më së miri aftësitë e tij dhe për momentin, mban vendin e 15 në këtë klasifikim të veçantë.

Artikulli paraprakKatër lojtarë dhe 11 milionë euro, “tundimi” i ri për Mourinho
Artikulli tjetërBarcelona e largoi, PSG kontakte për të nënshkruar me ‘Messin e ri’