Trajnerit prishtinas, Ismet Munishi, nuk po i ecën edhe aq mirë te skuadra e re, Feronikeli. Ish-trajneri i Vushtrrisë, Hajvalisë, Dritës e Vëllaznimit, Ismet Munishi, erdhi te ish kampioni i Kosovës, Feronikeli, me shumë bujë pas ndryshimeve që ishin bërë në kryesinë e kësaj skuadre, por ja që hapat e parë megjithatë nuk po duken shumë të mirë, pasi në ndeshjet miqësore Feronikelit i kanë munguar rezultatet. Gjithsesi, për Munishin dhe futbollistët kjo nuk është aspak shqetësuese pasi në këso ndeshje rezultatet janë në planë të dytë. Për ta me rendësi është forma fizike e lojtarëve e cila po duket të jetë në nivel, ndërsa sa i përket rezultateve ato do të shihen në pranverë. Në pesë ndeshjet miqësore të zhvilluara deri më tash, Feronikeli e ka fituar vetëm një, ndaj Ballkanit që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës, derisa humbjen e fundit në këto miqësore e pësoi dje nga një skuadër që gjithashtu bën gara në një rang më të ulet se “Nikli”, Vushtrrisë me rezultatin 3:1. Më herët Feronikeli kishte barazuar me Partizanin B me rezultat 2:2, pastaj me Apoloninë 1:1 dhe së fundmi ishte duke humbur nga Kastrioti 1:0, kur u ndërpre ndeshja.
Po mobilizohen
Njëri nga futbollistët kryesor te Feronikelit, Yll Hoxha, i cili pati fatin të ketë karrierën edhe ndërkombëtare me skuadrën e Kukësit dhe Flamurtarit në Shqipëri, ka thënë se Feronikelin e vërtet do ta shohim në pranverë dhe se në asnjë mënyrë nuk do të largohen deri në fund nga lufta për titull. “Rezultatet në ndeshjet përgatitore gjithmonë mbesin në plan të dytë dhe ne aspak as nuk shqetësohemi e as nuk na krijojnë presion ato rezultate”, ka thënë në fillim të bisedës për gazetën “Kosova Sot”, Yll Hoxha, i cili së bashku me skuadrën po përgatiten në Durrës. “Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë. Kemi punuar me intensitet të lartë, derisa edhe kushtet kanë qenë shumë të mira, çka mund të them se jemi në gjendje shumë të mirë”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, mesfushori prishtinas, Yll Hoxha.
Luftojnë për titull
Ish-futbollisti i Prishtinës, Yll Hoxha, ka konfirmuar se skuadra e tyre po punon për ta fituar titullin e kampionit dhe se këtë objektiv do ta ndjekin deri në ndeshjen e fundit të stinorit pranveror. “Sa i përket rezultateve të ndeshjeve miqësore unë ju siguroj se në ato ndeshje rezultati nuk është në plan të parë, pasi dihet se ato kanë qëllime tjera dhe përveç kësaj edhe ngarkesa e lojtarëve është bukur e madhe”, tha Hoxha, duke shtuar se në pranverë do të jenë ekip shumë i fortë. “Unë besoj fuqishëm te ky grup dhe cilësitë e lojtarëve. Do ta ndjekim titullin e kampionit deri në pikën e fundit dhe besojmë shumë se këtë objektiv do ta arrijmë”, ka përfunduar Yll Hoxha. Të kujtojmë se Feronikeli stinorit vjeshtor e mbylli në vendin e 4-të me 28 pikë, 6 më pak sesa Llapi që është në vendin e parë dhe kjo diferencës sipas taborit të skuadrës drenicase nuk është e paarritshme.