Tre kandidatët për presidentë që u prezantuan në zgjedhjet e Barcelonës kanë kohë që po punojnë në mënyrë të fshehtë për të forcuar skuadrën në prag të sezonit të ardhshëm. Nuk është e lehtë. Situata ekonomike e klubit ndikon në të gjitha lëvizjet dhe nuk ka para për të bërë transferime të bujshme.

Mënyra më e mirë është afrimi i lojtarëve që janë në fundin e kontratës në muajin qershor, për të cilët nuk duhet paguar asgjë. Kështu është duke punuar Victor Font, i cili ka një listë me futbollistë të rëndësishëm dhe mund të vijnë me kosto 0. Nga kjo listë do të dalin përforcimet për sezonin e ardhshëm. Me disa lojtarë është folur, si në rastin e Eric Garcias, ndërsa me të tjerë bisedimet janë mbajtur sekret.

ERIC GARCIA – Nëse do të ishte për Fontin, mbrojtësi i Cityt tashmë do të ishte i transferuar te Barcelona. Kandidati u ka kërkuar publikisht drejtuesve të përkohshëm që të bëjnë një sakrificë për mbrojtësin spanjoll, i cili kushton 3 milionë euro dhe 7 bonuse. Por, Laporta dhe Freixa nuk pranojnë. Eric Garcia do të vijë si lojtar i lirë në qershor për sezonin e ardhshëm. Ai është rritur në akademinë e Barcelonës dhe e njeh mirë stilin e lojës. Është vetëm 20 vjeç, por katalanasit do të kishin një mbrojtës të madh për të ardhmen.

SERGIO AGUERO – Një tjetër futbollist të cilit i përfundon kontrata te CiTy është Sergio Aguero. Kualiteti i tij nuk vihet në dyshim, por ka diskutime për moshën dhe për rrogën e tij të lartë. Aguero është 32 vjeç dhe nuk konsiderohet i pathyeshëm në aspektin fizik. Nëse dëshiron të transferohet te katalanasit, ai duhet të ulë rrogën e tij, por kalimi i tij nga Mançesteri në Barcelonë do të shërbente për të bindur edhe Leo Messin që të qëndronte. Të dy kanë një miqësi të madhe. Është faktor i rëndësishëm.

ALABA – David Alaba është një tjetër “perlë” e merkatos. Mbrojtësi i Bajernit ka vendosur që të largohet nga Gjermania. Për të ka shumë rivalitet dhe Reali i Madridit prej kohësh është duke e ndjekur. Nuk është i vetmi. Problemi është që futbollisti austriak pretendon të marrë rrogë 10 milionë euro në vit. Alaba është një lojtar polivalent, i cili mund të luajë në qendër të mbrojtjes, në të majtë ose si mesfushor.

WIJNALDUM – Është një futbollist që prej kohësh po ndiqet nga Barcelona. Kouman e do shumë dhe e njeh mirë sepse kanë punuar të dy te kombëtarja e Holandës. Mesfushori i Liverpulit gjithashtu do ta përfundojë kontratën, pavarësisht tentativave për rinovim.

DEPAY – Ishte lojtari i parë në listën e dëshirave të trajnerit Kouman kur mori drejtimin e skuadrës, por kjo gjë nuk u konfirmua për shkak të krizës ekonomike.

JUAN BERNAT – Lojtari i PSG-së konsiderohet si alternativë e dytë e David Alabës, nëse ky i fundit nuk do të bindet dhe do të ketë vështirësi ekonomike për t’u transferuar. Bernat është 27 vjeç dhe do të ishte i duhuri për të zëvendësuar Jordi Alban.

ÇALHANOĞLU – Mesfushori i Milanit është një opsion për të forcuar mesfushën e Barcelonës. Ai i ka kualitetet për të luajtur në një ekip si katalanasit dhe në vitin e fundit është rritur si lojtar. Milani pagoi 23 milionë euro për transferimin e tij, por ende nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës.

/Panorama Sport

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here