Kombëtarja ka regjistruar një sërë zhgënjimesh gjatë muajve të fundit, por kulmi i zhgënjimit është humbja 0-3 ndaj Izraelit në nëntor. Më shumë se humbja dhe rezultati, në atë ndeshje pati masa të shtuara të policisë dhe shumë tifozë u përjashtuan nga e drejta për ta parë ndeshjen, plus që u torturuan nga kontrollet strikte të papara ndonjëherë, ku stadiumi u vu nën survejim të plotë dhe nën kontrollin e policëve të armatosur rëndë. Kjo torturë nuk kaloi pa u kundërshtuar nga tifozët, ku grupimet kryesorë shpallën që të nesërmen e ndeshjes bojkotin e tyre deri në zgjidhjen e situatës, duke kërkuar nga FSHF të reflektojë për këtë “masakër” ndaj anëtarëve të tyre. Ky qëndrim mospajtues vijon akoma me kuqezinjtë, të cilët bojkotuan edhe ndeshjen e djeshme miqësore midis Shqipërisë dhe Bosnjës. Kështu, grupimi i njohur i fansave të Kombëtares Shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë konfirmuar dje bojkotin e tyre të plotë të ndeshjeve të përfaqësueses kuqezi në Shqipëri për sa kohë që nuk respektohen kërkesat e tyre. Sipas tyre u janë shkelur të drejtat në stadiumet shqiptare dhe nuk duan që policia shqiptare të vazhdojë të qëndrojë mes tyre.

Qëndrimi i TKZ

Tifogrupi më i madh i Kombëtares ka përçuar në facebook një mesazh të qartë, të shkurtër por domethënës, për gjendjen e atmosferës rreth kuqezinjve, “Sonte do të jemi në Elbasan por jo në stadium. Tifozin sonte dhe në të gjitha ndeshjet në vijim (brenda Shqipërisë) do ta bëjë policia me kallashnikov. Kur të largohen kallashnikovët nga tribunat e stadiumeve shqiptare dhe policia të na respektojë siç respektohen qeniet njerëzore, vetëm atëherë do të kthehemi në stadiumet shqiptare. Deri atëherë, Kombëtaren do ta mbështesim vetëm në stadiumet europiane”, shkruhet në njoftimin për shtyp të tifogrupit më të madh të përfaqësueses tonë. Një mesazh i tillë është dëshmi se tifozët janë fyer në ndeshjen kundër Izraelit dhe ndaj tyre nuk ka pasur falje nga asnjë institucion. Ata nuk duan të mbështesin skuadrën kombëtare kur në stadium dominojnë armët e policisë dhe shkopinjtë e gomës që kërcasin në kurrizin e fansave që brohorasin “Shqipëri Etnike”..

Artikulli paraprakKy është rrefimi prekës i Rio Ferdinand që përloti Anglinë
Artikulli tjetërGani Sejdiu: Kisha marrëveshje në parim me Prishtinën, ja përse dështoi gjithçka…