Skuadra e Lirisë së Prizrenit do të jetë anëtare e Superligës së Kosovës në futboll edicionin e ardhshëm, pasi Komisioni i Garave të FFK-së ka refuzuar ankesën e Ferizajt të mërkurën.

Liria e mposhti Ferizajn 3:0 në ndeshjen e barazhit me penallti, ndërsa ferizajasit kontestuan fitoren e ekipit prizrenas.

Megjithatë, Komisioni i Garave e ka regjistruar ndeshjen me rezultatin e arritur në fushë, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën e Ferizajt.

Ferizaj ishte ankuar dhe kishte shpresuar që ndeshjen ta fitojë me rezultatin zyrtar, duke insistuar se disa prej futbollistëve të Lirisë kishin pasur kontrata me klubin deri më 31 maj, ndërsa ndeshja e barazhit ishte zhvilluar më 4 qershor.

Ferizaj, konkretisht ishte ankuar në sulmuesin e krahut, Liridon Fetahajn.

Në arsyetimin e Komisionit të Garave, thuhet se Fetahaj ka qenë i licencuar për edicionin e garave për vitin 2022-2022, kështu që ankesa e Ferizajt është refuzuar si e pabazuar.

Po ashtu, KG-ja ka bërë të ditur se Ferizaj ka të drejtën e ankesës në Komisionin e Apelit të FFK-së, brenda një afati kohor prej tri ditësh.

© KOHA. 

Artikulli paraprakPrishtina zyrtarizon edhe Arti Hajdarin
Artikulli tjetërFormacionet zyrtare: Fiorentina-West Ham