Real Madridi ruajti pozitën e parë në Euroleague pas fitores 95:89 ndaj Olimpia Milan, me skuadrën italiane që mbetet në vendin e parafundit në klasifikimin e përgjithshëm. Në “Barclaycard Center”, në kryeqytetin spanjoll u zhvillua një ndeshje e fortë dhe barabartë, por spanjollët u treguan më të mirë atëherë kur duhej në minutat finale të ndeshjes të cilën e mbyllën me gjashtë pikë dallim. Sergio Llull ishte më i miri me 20 pikë e 9 asistime, ndërsa Luka Doncic i shtoi edhe 17 pikë të tjera. Te humbësit u dalluan Krunoslav Simon me 20 pikë dhe Zoran Dragic me 13.

CSKA e Moskës rrezikoi shumë përballë Anadolu Effes, por në fund fitoi me tri pikë epërsi 80:77, duke e bërë të pavlefshme lojën e mirë të dyshes Heurtel-Honeycut, që shënuan në total 40 pikë për skuadrën turke. Francezi De Colo realizoi vetëm 14 pikë për moskovitët, që bënë një shpërndarje më të gjerë të pikëve. Në fillim të periudhës së tretë CSKA kishte krijuar një diferencë prej 13 pikësh, që i mjaftoi për të siguruar fitoren e 15 në sezonin e rregullt.

Olimpiakos i udhëhequr nga Spanoulis fitoi 83:77 me Bamberg, që pësoi humbjen e katër radhazi, duke kaluar në pjesën e poshtme të tabelës. Skuadra gjermane pas një starti zhgënjyes me vetëm 13 pikë në periudhën e parë, u mundua të arrinte diferencën në dy periudhat pasardhëse por në 10-minutëshin e fundit skuadra greke luajti shumë mirë dhe fortë, për ta mbyll ndeshjen me fitore.
Khem Birch dhe Vassilis Spanoulis me nga 15 pikë secili, ishin liderët e grekëve.

Barcelona dështoi para publikut të saj në “Palau Blaugrana” me Baskonian, që falë amerikanëve Larkin dhe Budinger, që shënuan 20 përkatësisht 15 pikë, e mbylli ndeshjen 79 :93. Baskonia kthehet te suksesi pas tri humbjeve radhazi, ndërsa Barcelona e ka të vështirë t’i afrohet zonës Play-Off.

Darussafaka Dogus zhvilloi një ndeshje të dobët në parketin e saj ndaj Zalgiris Kaunas, duke u mundur 66:69. Për lituanezët kjo ishte fitorja e dytë radhazi që i afron me zonën Play-Off.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here