Real Madrid vazhdon të mbajë bilanc fantastik në LA Liga, duke arritur fitorën e tretë rresht në edicionin e ri 2016/17.
Kampioni aktual evropian ka shpartalluar në ‘Bernabeu’, Osasunën me goleadë 5-2.
Se dita e mirë shihet në mëngjes e dëshmoi goli i hershëm i Cristiano Ronaldo, që njëherit ishte i pari për të gjatë këtij edicioni. Kujtojmë se kjo ishte paraqitja e tij e parë pas lëndimin në ndeshjen finale të Euro 2016, ku Portugalia fitoi epitetin e më të mirit të kontinentit të vjetër.
Gjithçka morri fund në këtë takim kur mbrojtësit Danilo e Sergio Ramos, shënuan dy gola të tjerë në pesë minutat e fundit të pjesës së parë.
Megjithatë ritmi i lartë i Los Blancos, vazhdoi edhe gjatë pjesës së dytë. Ishte Pepe ai që kompletoi ‘pokerin’, për skuadrën e Zindedin Zidan, kurse ‘manita’ erdhi nga Modric. Në vazhdim erdhi reagimi i musafirëve që përveç dy golave të arritura nga Oriol Riera e David Garica, patën rast të shënojnë gol tjetër nga penalltia, por dështoi Roberto Torres.
Pas kësaj fitore Real Madrid ka 9 pikë, ndërkohë Osasuna ka tubuar vetëm 1 pikë.