2 gola kishte pësuar Atletico Madrid në 10 ndeshjet e para të këtij sezoni në La Liga, por 2 i pësoi edhe ndaj Realit në një ndeshje pikërisht në derbin e Madridit, aty ky Los Blancos mposhtën 2-0 Los Colchoneros duke u afruar në renditje me skuadrën e Simeones dhe duke rihapur në maksimum garën për titull. Për t’i shkaktuar humbjen e parë Atleticos në këtë sezon menduan Casemiro dhe Carvajal, dy nga lojtarët më puntorë që Zinedine Zidane ka në skuadër.

Casemiro zhbllokoi sfidën me një goditje me kokë duke mposhtur Oblak pas një harkimi të Toni Kroos nga këndi kur kishin kaluar 15 minuta lojë ndërkohë që më herët Benzema ishte ndalur nga shtylla. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 ndërsa për të vulosur fitoren e Los Blancos mendoi Carvajal që me një goditje të bukur nga distanca në të 63-ën e cila u stampua në shtyllë, detyroi Oblakun ta devijonte topin me shpinë në rrjetën e tij. Deri në fund Reali menaxhoi shumë mirë avantazhin duke marrë 3 pikë të arta që e ngushtuan në vetëm 3 pikë diferencën mes dy skuadrave në renditje, edhe pse Atletico që kryeson ka një ndeshje më tepër për të zhvilluar.

/Supersport.al

Artikulli paraprakLazio humbi në shtëpi nga Verona
Artikulli tjetërAncelotti mposhti ish-skuadrën e tij, Chelsea humbi