Janarin e shkuar, Pep Guardiola kishte marrë një ofertë nga Real Madrid për të marrë drejtimin e skuadrës.
Këtë e zbuloi këtë javë autori i biografisë së tij më të fundit (“Evolucioni”), Marti Perarnau. Katalanasi kishte refuzuar duke thënë se kishte një akord paraprak me Manchester City-n para se të largohej nga Bayern München, por arsyen e vërtetë e zbuloi sot. Duke folur para gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes me West Bromwich Albion-in (sot, ora 16:00, në Premier League), 45-vjeçari shpjegoi se prejardhja e tij bën që bashkëpunimi me madrilenët të mos jetë në të mirën e asnjërës palë.
“Skuadra që mbështes është Barcelona. Real Madrid-t nuk do t’i shkonte një trajner si unë dhe as mua një klub si Real Madrid”, – u shpreh Pep, i cili javët e fundit ka vuajtur një seri rezultatesh negative. Për këtë, ai u bëri thirrje lojtarëve të tij për t’u zgjuar. “Ndeshjet i marrim një nga një. Duhet të fitojmë sa më shpejt që mundemi dhe për këtë arsye kjo sfidë është më e rëndësishmja. Lojtarët e mi nuk kanë luajtur ndonjë ndeshje pa pasion, pa u përpjekur deri në minutat e fundit për të fituar”, – theksoi tekniku. “Duhet të ndryshojmë sa më shpejt që është e mundur, s’mund të dorëzohemi”, – përfundoi ai.