Real Madrid sot regjistroi fitoren e radhës në La Liga, duke mposhtur 3-0 pa asnjë vështirësi Eibarin. Takimi në “Santiago Bernabeu” nuk qe një shëtitje për madrilenët, por fakti që i gjetën golat shpejt u dha qetësi dhe e manovruan lojën sipas dëshirës.

Ndeshja nisi me një autogol të miqve pas 18 minutash lojë. Paulo Oliveira u tregua i pavëmendshëm në një kros drejt zonës dhe, në duel me mbrojtësin Sergio Ramos, shënoi në portën e tij duke gjuajtur me kokë. “Los Blancos” e patën më të thjeshtë lojën pas këtij episodi. Ata sulmuan me të gjitha forcat, derisa erdhi edhe goli i dytë. Në të 28′, Marco Asensio tregoi edhe një herë se i mjaftojnë pak minuta në fushë për t’u shfaqur si golashënues. Me aksione të humbura nga Isco dhe Ronaldo, kështu u mbyll pjesa e parë.

45 minutat e dyta nuk qenë edhe aq intensive, me të zotët e shtëpisë të cilët ulën ritmin. Gjithsesi, goli i tretë dhe më i bukuri i ndeshjes u shënua në fund nga mbrojtësi Marcelo. Braziliani kombinoi me sulmuesin Karim Benzema dhe shënjestroi rrjetën me lehtësi.

Zinedine Zidane mund të ulej i qetë në stol pas këtij aksioni fantastik, ndërsa Ronaldo mbeti me kokën ulur, edhe kësaj here pa e gjetur golin. Me këtë fitore, Real Madridi e sheh veten në kuotën e 20 pikëve në vendin e tretë, pesë pikë pas Barcelonës kryesuese.

Artikulli paraprakLazio po shkel gjithçka para vetës, Immobile edhe sonte ishte fantastik
Artikulli tjetërMarseille nderon legjendat, nder ta edhe Lorik Cana