REAGIM
FC Prishtina është detyruar t’i përgjigjet interesimit të madh të medieve
dhe adhuruesve të shumtë të klubit rreth skandalit të ndodhur në futbollin
kosovar, i publikuar sot nga “Indeksonline” dhe të përcjella nga të gjitha
mediet tjera ku konstatohet “viktimizimi” i FC Prishtinës.

Ky skandal e ka shokuar FC Prishtinën. Jo për shkak të humbjes së atyre
tri pikëve, që gjyqtari e pranon se qëllimisht na ka dëmtuar dhe ka
planifikuar të na dëmtojë edhe në ndeshjen e së mërkurës, por për shkak
dëmit të madh e të pariparueshëm që ia ka shkaktuar futbollit kosovar,
pjesë e të cilit jemi edhe ne si klubi më me renome.

FC Prishtina ndër vite është munduar t’i kontribuojë një futbolli normal e
të shëndoshë, ani pse ishim të izoluar nga katër anët.

Në vazhdimësi kemi dhënë vërejtjet tona të argumentuara për prezencën e
dukurive negative në futbollin tonë, por ato fatkeqësisht janë injoruar
nga organet kompetente, të cilat më lehtë ndërmerrnin masa ndëshkuese ndaj
FC Prishtinës që jepte vërejtje me qëllime pozitive sesa kundër akterëve
të dukurive të ndryshme negative.

Për FC Prishtinën nuk çon fortë peshë humbja e pikëve në këso mënyra. Na
vjen shumë keq për shkeljen e djersës së futbollistëve tanë, por më shumë
na brengos frika se skandalet e tilla rrezikojnë seriozisht t’i humbas
edhe ata pak donatorë që janë kontributdhënës të sinqertë në futbollin
tonë.

Por, edhe më tepër se kjo na shqetëson frika e prishjes së imazhit të
futbollit tonë në Evropë, të cilën e kërkuam me ngulm, e për të cilën
gjenerata të tëra sakrifikuan shumë. Aq më tepër tani kur te UEFA veç kemi
nis të bëhemi horë si pasojë e gjendjes së mjerueshme infrastrukturore në
vendin tonë, të cilit më së paku në këtë kohë i janë dashtë “goditjet” me
skandale trukimesh.

Andaj, FC Prishtina inkurajon FFK-në dhe instancat tjera që t’i
përballojnë presionit që sigurisht iu është kanos dhe në mënyrë
profesionale situatën ta menaxhojnë. I inkurajojmë që të ndërmarrin masa
adekuate në mënyrë që bashkërisht ta tejkalojmë këtë situatë dhe futbollin
tonë ta shpëtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme

FC Prishtina, 4 prill, 2017

Artikulli paraprakCarlo Ancelotti kërkon një lojtar të madh tek Reali i Madridit
Artikulli tjetërKur Ismet Munishi sulmonte gazetarët sportiv (VIDEO)