31 maj 2016… Darka e fundit. Nuk është kryevepra botërore e Leonardo Da Vincit, por ajo që ndodhi realisht në hotelin e grumbullimit të kombëtares në Austri, në Bad Valdensdorf. Në tavolinë, mes katër lojtarëve që u lanë jashtë, edhe ai, Milot Rashica (Gjimshiti, Rrahmani dhe Herolind Shala tre të tjerët). Jashtë dyrve të Europianit, që sigurisht për ata ishte më shumë se një ëndërr. Një çmim i vyer që nuk u arrit dot dhe që, një ditë më pas, më 1 qershor, u shfaq në fytyrat e tyre tepër të zhgënjyera. Atë mbrëmje, ndoshta, në mendjen e Milotit, u mor një vendim, edhe pse pritej të formalizohej zyrtarisht. Zgjedhja për të qenë pjesë e Kosovës në vazhdim dhe jo e Shqipërisë. Një vendim që erdhi me një letër ditën e djeshme, por që sigurisht ishte marrë shumë kohë më parë. Që kur FFK (Federata Kosova e Futbollit) u bë zyrtarisht pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, me fuqi të plota dhe kuptoi se do të merrte pjesë në eliminatoret e Botërorit 2018 në Rusi. Sigurisht, Rashica s’do ta thotë kurrë, por atë ditë, ai vendosi përfundimisht për të përfaqësuar vendlindjen e tij, pra Kosovën, nëse s’do të shkonte në Europian me Shqipërinë. Telefonatat e shpeshta me Bunjakun gjatë kësaj periudhe, por sidomos edhe bisedimet brenda familjes, pa harruar një këshillë të agjentit të tij, Altin Lala… Në fund, vendimi për të braktisur kombëtaren e Shqipërisë. Kohë më parë, përpara se të bëheshin zgjedhjet për Europianin, sigurisht, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i pyetur mbi faktin nëse Rashica do të thërritej nga Bunjaku te Kosova, u shpreh kështu: “Çarëdo që ëe thuhet dhe kushdo që e thot, marrëdhëniet tona me federatën e Kosovës janë të shkëlqyera dhe do të mbeten të shkëlqyera”. Praktikisht, sikur e parashikonte gjithçka, numri “1” i FSHF-së, në atë kohë. Ajo që ia vlen të thuhet, gjithashtu, është fakti se Rashica, në momentin që ka lënë grumbullimin kuqezi atë natë në Austri, u mundua të mos kishte më kontakt me asnjë pjestar të stafit kuqezi, ndërsa në mëngjesin e ditës kur u largua, pra më 1 qershor, “shmangu” menaxherin Bushi, i cili sigurisht gjatë gjithë kohësh i kishte dhënë besim se kishte shanse reale për të qenë në Francë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Rashica, pasi ka biseduar me familjen dhe të atin, sigurisht, ka qenë mes dy zjarreve, por ftesa e Bunjakut dhe diskutimi i tij për të ndërtuar një Kosovë konkurruese dhe për ta nisur nga “kursi i ri”, pra duke ftuar talentet anembanë, ka bindur Rashicën. Jo vetëm kaq, por fantazistit të Viteshes, vlera e të cilit i është rritur së tepërmi gjatë kësaj kohe, i kanë folur edhe futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, teksa aty do të rigjejë shumë ish-kuqezi… pasi shumë shpejt do të ketë largime të tjera, tashmë të ditura.

Si kuqezi – Milot Rashica, në letrën e tij të publikuar, ku shpjegon arsyet e vendimit, sigurisht, tregon dhe se ka qenë pjesë e moshave kuqezi. Në fakt, ai ka debutuar me U-17 duke zhvilluar në total 3 ndeshje dhe realizuar një gol. Ishte vetëm 16-vjeç në atë kohë dhe ende nuk kishte shpërthyer. Xhemal Mustedanagiç, trajneri i U-17, i dalloi cilësitë. Nga aty, menjëherë kalimi te U-21, duke “kapërcyer” U-19, pasi “shumë i mirë për të vazhduar me moshat U-19”… Projektimi në ekip të parë, megjithatë, ishte çështje kohe. Vetëm 6 ndeshje me Shpresat e Redi Jupit dhe 1 gol për talentin nga Vushtria. Nga aty, thirrja e De Biazit për ta provuar. 29 mars 2016, Rashica debuton me kuqezinjtë në miqësoren ndaj Luksemburgut, në fushën e këtyre të fundit, duke luajtur 29 minuta. Minuta për të edhe në miqësoren ndaj Katarit, të fituar 3-1 nga kuqezinjtë. Grumbullimi në Austri dhe, më pas, vendimi për të mbetur jashtë listës së 23 futbollistëve që do të udhëtonin në Europianin francez. “Endrra ime është të luaj në Europian me Shqipërinë”, kishte thënë disa herë. Një ëndërr që nuk u realizua dhe që ndikoi në vendimin final për të përfaqësuar Kosovën, edhe pse sigurisht, këtë gjë, s’do ta pranojë kurrë…

Artikulli paraprakDani Alves, shumë “like” në rrjetet sociale
Artikulli tjetërArsenal sërish tenton pazarin me Juventus