Në raportin e publikuar nga vendimi i Argumentuar i CAS-it paraqitet edhe analiza që i është bërë ndeshjes ndaj Dinamos së Zagrebit, më datë 25 gusht 2015, e cila përfundoi me rezultatin 4-1.

Në të përmenden mënyrat e vendosjes së basteve, cilat prej tyre kanë qenë fituese, por edhe futbollistët që kanë pasur një sjellje të dyshimtë në fushën e lojës, duke iu referuar Renato Arapit dhe Orges Shehit në rastin e pësimit të golit të fundit.

Raporti i ndeshjes

“Ka pasur baste shumë të dyshimta ‘live’ gjatë pjesës së dytë. Me rezultatin që ishte 3-1 në favor të Dinamos së Zagrebit, i cili luante edhe me një lojtar më pak, bastvënësit në mënyrë të papritur patën një besim të tepruar që Skënderbeu do pësonte gol në minutat e mbetura. Pavarësisht se Dinamo e Zagrebit ishte ekipi më i mirë në fushën e lojës deri në ato momente, ishte e pajustifikueshme sasia e parave të vendosura, duke nënkuptuar se nuk vinin si rrjedhojë e asaj që po tregonin ekipet.

Pati një sasi akoma më të madhe parash dhe më të dyshimtë kur rezultati ishte 3-1 që gjatë ndeshjes shënoheshin të paktën pesë gola. Bastet ishin kaq të ashpra dhe të palogjikshme, ku dukej qartë se bastvënësit ishin të bindur se do të shënohej edhe një gol. Për më tepër, bastvënësit po mundoheshin të përfitonin maksimumin e mundshëm nëpërmjet të gjitha llojeve të basteve, siç ndodh zakonisht në ndeshje që janë të manipuluara.

Më tej, pasi Dinamo e Zagrebit shënoi golin e katërt, pati të tjera baste që do pësohej edhe një tjetër gol nga ana e Skënderbeut. Ishte shqetësuese të shikoje ashpërsinë e basteve të vendosura dhe shpejtësinë e tyre. Koha e vendosjes së basteve është shumë informuese për natyrën e manipulimit. Në fakt, bastet e dyshimta nisën menjëherë pasi ndeshja kishte shkuar me rezultatin 3-1. Dukej se Skënderbeu ishte gati për të shpërthyer me baste korruptive, si një mundësi përfitimi në një skemë të planifikuar me kujdes.

Pavarësisht se vetëm një prej golave të pritur u shënua, duke bërë që realizimi i planit ishte i pjesshëm, sasia e parave të përfituara prej basteve korruptive ishte gjithsesi e madhe në kompani të ndryshme të botës. Në termat e aksioneve të ndeshjes, u vu re që ritmi i Skënderbeu u ul dukshëm sapo ndeshja shkoi 3-1. Nëse dukej që fati i ndeshjes ishte i pritshëm, ata e përfituan si një avantazh për të përfituar.

Madje, goli që pësuan në minutën e 80-të duhet parë me kujdes. Renato Arapi ishte shumë i ngadaltë për të reaguar në një top që ishte në drejtimin e tij dhe, më pas, nuk e ndoqi sulmuesin kundërshtar, i cili zotëroi topin dhe pati mjaftueshëm hapësirë dhe kohë për të shënuar golin. Portieri Orges Shehi gjithashtu duhet ta kishte përballuar situatën më mirë, pasi zgjodhi që të qëndrojë afër portës dhe jo të dalë për të zënë rrezen e këndit të tij, siç bëjnë normalisht portierët. Pa asnjë dyshim, këto incidente të ndeshjes duhet të dokumentohen me konsideratë të lartë si rrjedhojë e basteve të dyshimta.

Si përfundim, historia tmerrësisht e dyshimtë e Skënderbeut duhet të merret në konsideratë gjatë analizës së këtyre ndeshjeve. Ata janë pjesë e një numri jashtëzakonisht të lartë ndeshjesh të dyshimta përgjatë historisë së tyre, përfshirë edhe atë kualifikuese të Champions-it kundër Kruzejdërs më 21/ 07/2015. Edhe në atë ndeshje pati baste të dyshimta të së njëjtës natyrë, duke pritur pësimin e golit në minutat e fundit.

Edhe në atë rast, skenari i përfitimit financiar nëpërmjet basteve erdhi pasi ndryshimi i rezultatit nuk do ndikonte në fatin e kualifikimit. Në përmbledhjen e argumenteve për këtë takim, duhen pasur parasysh:
– Bastet ekstremist të dyshimta gjatë ndeshjes ‘live’ që Skënderbeu do humbiste me të paktën tre ose katër gola.
– Baste njësoj të dyshimta se do shënohen të paktën pesë apo gjashtë gola.
– Paraqitje shumë e dobët e mbrojtjes, çka solli edhe pësimin e golit të fundit.
– Histori shumë e dyshimtë e klubit, përfshirë ndeshje të kompeticionit ndërkombëtar.
Si rrjedhojë, ka prova me tepricë që kjo ndeshje është manipuluar për shkak të përfitimit në mënyrë korruptive prej basteve, nëpërmjet paracaktimit apo planifikimit të rezultatit”.

 

Panorama Sport

Artikulli paraprakMaldini: Ky trajner është emblemë e Milanit si lojtarr
Artikulli tjetërE pabesueshme, por e vërtetë: Sulmuesi i Marseille më efikas se Ibrahimovic…