Claudio Ranieri pati një vit 2016 për t’u mbajtur mend si asnjëherë tjetër në karrierën e tij futbollistike. Trajneri italian arriti të fitonte Premier League me Leicester City duke shokuar botën sportive, por për vitin 2017 objektivat ndryshojnë totalisht.
Në një intervistë për mediet britanike, tekniku i kampionëve të Anglisë tha se skuadra e tij duhet të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit, ndërsa kalimi në raundin tjetër të Championsit, në dëm të Sevillas, do të ishte një ëndërr.
“Shumë njerëz na thonë që Sevilla ishte një short i mirë, por një skuadër që ka fituar 3 trofe radhazi nuk është e lehtë për ne. Do të jetë një ëndërr, nëse e eliminojmë në Champions. Përsa i përket Premier League, unë i mbetem objektivit për 40 pikë, që të jemi të qetë dhe të sigurojmë mbijetesën”, tha Claudio Ranieri.
Trajneri italian e cilësoi vitin 2016, si më të mirin e tij në futboll, por nuk i harron ditët e para.
“Nuk kisha fituar asnjëherë kampionatin dhe për këtë arsye 2016-a është më i miri. Në 7 ose 8 javët e fundit, trajnerët kundërshtarë më thonin që të provoja të fitoja kampionatin dhe kjo ishte fantastike. Por nuk mund ta harroj sesi e fillova. Isha njësoj si sulmuesi James Vardy me një skuadër modeste, që u ngjit ngadalë në hierarki”, tha Ranieri.
Prova e radhës e Leicester City do të jetë të hënën ndaj Evertonit, në “Kings Power Stadium”.
/ Top Channel