Në Serbi raportohet një lajm i bujshëm, por a është i vërtetë apo jo, kjo mbetet për t’u parë. “Kurir” shkruan se familja Osmani, e njohur për aktivitetin e saj kriminal në Ballkan dhe thuajse në të gjithë Europën Perëndimore, po pastron para në futbollin serb dhe jo vetëm kaq, por edhe e kontrollojnë atë. Sikurse raportohet në artikullin e gazetës serbe, shërbimet sekrete po punojnë për të zbuluar pastrimin e parave në një klub serb, duke komanduar transferimet.
“Kurir” pretendon se do të zbulojë edhe detaje të tjera të gjithë këtij aktiviteti kriminal. Sikurse thuhet në artikull, klani Osman, me paratë e fituara nga tregtia e drogës dhe e armëve, komandon gjithçka në futbollin serb, teksa tanimë po përdor edhe transferimet e lojtarëve. Pritet që në vijim të zbulohen edhe emrat e menaxherëve që e kanë përfshirë këtë grup kriminal në këtë valle, si dhe emri i klubit që ata përdorin.
Por në faqen e parë të Kurir shihet edhe fotoja e Falji Ramadanit, menaxher që në Serbi ka bërë lëvizje të shumta. Nëse kontrollon online, përmenden edhe lidhjet e këtij menaxheri me familjen Osmani, teksa Burim dhe Bashkim Osmani cilësohen si partnerët e tij strategjikë. Në Serbi prej kohësh e kanë shprehur habinë se si mediat nuk shkruajnë keq për Ramadanin dhe ajo që i habit më së shumti ka të bëjë me faktin se si ai ka ecur kaq shumë, kur lidhjet me futbollin në shkuarën kanë qenë thuajse zero. Mbetet për t’u parë se çfarë do të zbulojë më tej “Kurir”, që njihet edhe për shkrimet e saj nacionaliste….