Si ‘fëmiji i djepit’ zgjodhi Prishtinën për të nisur një karrierë prej futbollisti. Kaloi të gjitha kategoritë për të arritur deri te juniorët. Por, një lëndim bëri që hovi i tij të ndalet. Fjala është për Art Tovërlanin, të birin e trajnerit të mirënjohur, Afrim Tovërlani.

Mirëpo, për dallim prej futbollistëve tjerë, Arti nuk e kishte fatin e njëjtë që Prishtina t’ia heqë shpenzimet e operimit.

“Prishtina nuk e ka paguar operimin tim, madje nuk është interesuar kurrë për gjendjen time. Nuk jam i sigurt nëse jam lënduar duke luajtur në Prishtinë, por në këtë klub kam filluar të luaj prej moshës 8-vjeçare. Jam operuar më 7 korrik 2015 dhe prej asaj kohe askush nga kryesia nuk është interesuar për mua. Le të mbetet kjo në ndërgjegjen e tyre. Kam dëgjuar që sivjet dikujt ia kanë paguar operimin dhe më vjen mirë, por edhe unë kam kaluar shumë vite në klub”, pohoi Arti për Gazetasheshi.com.

Krahas Artit, Prishtina ende nuk i ka kryer të gjitha obligimet edhe ndaj Afrim Tovërlani prej kohës kur ai drejtonte ekipin.

“Po flas edhe pse babi nuk dëshiron të flasë asgjë në lidhje me Prishtinën, por me sa e di unë ende i kanë borxh. Tovërlant i kanë dhënë shumë Prishtinës, por nuk ka lidhje, sepse vjen koha e ndryshojnë gjërat. Çdo fëmijë ka dashuri të parë një person, kurse dashuria ime e parë ka qenë Prishtina dhe jam krenar”, shtoi Arti, i cili falënderon familjen që i ka qëndruar gjithnjë pranë sa i përket operimit.

“Nuk po flas si djali i ‘Tokit’, por po flas se kam qenë më i afërti i tij ndër vite dhe ja kuptoj dhimbjet që i ka ndaj ngjyrave të qytetit, por duhet ta dinë se, e gjithë kryesia e Prishtinës nuk kanë dashuri sikur të cilën e ka babai i im”, përfundoi 20-vjeçari.

Arti i operuar nga unazat e shpinës, tani është duke punuar për t’u rikthyer sërish me futboll.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here