Prishtina nuk ka fituar në ndeshjen e shtatë radhazi në elitën e futbollit të Kosovës. Fitorja e fundit mbetet ajo e 26 gushtit.
“Bardhekaltrit” që në këtë seri kanë gjashtë barazime e një disfatë, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, barazuan pa gola me Feronikelin 74.
Ndeshja i ka takuar xhiros së 10-të të Superligës së Kosovës. Feronikeli nga ana tjetër vazhdon serinë pozitive të rezultateve.
Ka dy barazime e një fitore në tri ndeshjet e fundit. Raste në ballafaqimin e zhvilluar në Drenas patën të dyja skuadrat, megjithatë, rrjetat mbetën të paprekura. Vendësit shënuan një gol në pjesën e parë në minutën e 38-të, por u anulua për pozitë jashtë loje.
Ka pasur tensione në fundin e ndeshjes. Ndeshja është ndërprerë në minutën e 86-të, kur tifozët e Prishtinës janë afruar te porta e Feronikelit 74, ndërsa më pas ata janë larguar nga stadiumi dhe ndeshja vazhdoi. Pas dhjetë xhirove të zhvilluara në edicionin aktual, Feronikeli ka 11 pikë.
Prishtina në dhjetë ndeshje të luajtura ka 13 pikë.
Në javën e 11-të të Superligës, Feronikeli 74 e pret Ballkanin, teksa Prishtina luan në shtëpi ndaj Gjilanit.