Golat e shënuar nga Egzon Sinani dhe Leotrim Kryeziu kanë qenë të mjaftueshëm që Prishtina ta fitojë Superkupën e Kosovës në futboll.

Prishtina të shtunën mposhti Ballkanin në Antalia të Turqisë me rezultatin 2:1, për ta nisur vitin 2024 me trofe.

Qendërmbrojtësi Sinani shënoi në minutën e nëntë të ndeshjes me gjuajtje të saktë nga zona. Në pjesën e parë, Prishtina protestoi edhe për dy penallti. Ky ballafaqim u zhvillua pa sistemin VAR.

Ballkani e rriti ritmin e lojës pas golit të pranuar, por nuk arriti t’i barazonte shifrat.

Të udhëhequrit e trajnerit Ilir Daja u befasuan edhe në fillim të pjesës së dytë. Sulmuesi Kryeziu shënoi me kokë nga afërsia për 2:0, në aksionin e parë të “bardhekaltërve” në këtë pjesëlojë.

Në të dyja golat e Prishtinës, asistues ishte Kreshnik Uka, i cili e ka lënë prapa lëndimin e rëndë në gju që e la jashtë fushës për kohë të gjatë.

Trajneri Daja reagoi duke bërë disa zëvendësime, prej tyre edhe sulmuesin Krenar Dulaj. Dhe ishte pikërisht sulmuesi i talentuar që në minutën e 79-të, e ngushtoi rezultatin në 2:1 pas gjuajtjes së saktë me kokë. Nga krahu i djathtë për mrekulli harkoi Armend Thaqi.

Ballkani pati raste në vazhdim të ndeshjes, por nuk arriti të shënonte më dhe ndeshja u mbyll 2:1 në të mirë të Prishtinës.

Për Prishtinën është trofeu i nëntë i Superkupës së Kosovës që nga paslufta, dhe i 11-ti që nga viti 1992.

Ballkani, që në Superkupën e vitit të kaluar kishte mposhtur Llapin, tani vëmendjen do ta kthejë në Superligë. Synon tjetër titull kampioni. Kryeson pas 18 ndeshjeve me 40 pikë, gjashtë më shumë se Llapi dhe Drita.

Prishtina është e pesta në ligë me 26 pikë.

Artikulli paraprakKy Inter ndoshta më i bukuri në 20 vitet e fundit
Artikulli tjetërArsenali lehtë ndaj një viktime të pafuqishme