Trepça ishte shumë afër të fitoj ndaj Prishtinës në ndeshjen e cila konsiderohej shumë e lehtë për kaltër e bardhët, por doli e kundërta pasi mitrovicasit u angazhuan jashtëzakonisht shumë për ta fituar duelin që për ta ishte shumë më i vlefshëm.
Trepça luajti taktikisht mirë dhe mençur duke mos lejuar mysafirëve të krijojnë shumë raste shënimi, ndërsa kur kryeqytetasit bënin sulmet e tyre në drejtim të portës kundërshtare, erdhi supergoli i sulmuesit Enis Zabërgja nga distanca.
Në minutën e 90. akordohet penallti për Prishtinën kur Kujtim Kutllovci kapiteni i Trepçës e ndali në zonë sulmuesin Gauthier Mankenda kurse gjyqtari kryesor Gramoz Shala tregoi në rrethin e bardhë nga e cila Liridon Leci e barazoi rezultatin në 1:1. Më pas u krijua një rrëmujë e madhe në mes lojtarëve të të dyja skuadrave me ç’rast loja nuk nisi nga mesi i fushëm për më shumë se 5 minuta.
Në kohën shtesë kur zhvillohej minuta e 101, Mankenda pas një kundërsulmi të shpejtë realizoi me kokë për fitoren e madhe të kaltër e bardhëve.