Premier League jep miratimin, miliarderi anglez blen aksione te Man. United

Marrëveshja e miliarderit britanik Sir Jim Ratcliffe për të blerë 25% të aksioneve të Manchester United është miratuar nga Premier League. Marrëveshja, me vlerë rreth 1.3 miliardë dollarë është ende subjekt i miratimit të Federatës së Futbollit.

Sipas akordit, pronarët e familjes Glazer do të mbajnë shumicën e aksioneve në klub, por Ineos Group i Ratcliffe do të marrë kontrollin e operacioneve të futbollit.

“Premier League tani pret konfirmimin e përfundimit të transaksionit”, tha liga në një deklaratë, ndërsa konfirmoi se Ratcliffe, 71 vjeç, ka nënshkruar gjithashtu statutin e pronarëve.

Marrëveshja është e para që është rënë dakord sipas testit të përditësuar të pronarëve dhe drejtorëve të Premier League, i cili u miratua nga klubet anëtare në mars 2023 dhe përfshin një rishikim nga një panel i pavarur mbikëqyrës.

Marrëveshja e Ratcliffe u arrit në prag të Krishtlindjeve dhe përfshin gjithashtu 300 milion dollarë investime në stadiumin “Old Trafford”.

Biznesmeni ka rënë dakord të blejë 25% të aksioneve të klasit B të klubit, të zotëruara kryesisht nga familja Glazer, e cila zotëron 69% të klubit, dhe përmban pothuajse të gjitha të drejtat e votës, dhe deri në 25% të aksioneve të klasës A, të cilat janë të listuara në bursën e Nju Jorkut.

Marrja e kontrollit sportiv në klub do të thotë që Ineos do të mbikëqyrë operacionet dhe akademitë e futbollit për meshkuj dhe femra. Ata gjithashtu do të marrin dy vende në bordet e Manchester United PLC dhe Manchester United Football Club.

Ratcliffe ka bërë tashmë disa vizita në “Old Trafford” dhe terrenin stërvitor të klubit, ndërsa pret që marrëveshja të marrë miratimin përfundimtar.

Artikulli paraprakMan.City dhe Real Madridi kryen punën si duhet
Artikulli tjetërPrezantohet Franco Foda