Trajneri i Milanit, Vincenzo Montella, ka pohuar se ai ka qenë forca shtytëse për transferimin e papritur të Leonardo Bonuccit nga Juventus te Milan.
Ai ka thënë se e ka bindur klubin ta blinte mbrojtësin italian, pasi kishte qenë i bindur se një gjë e tillë ishte e arritshme.
“Kam qenë i bindur se ishte e arritshme. Iu besova atyre që më thanë, derisa drejtuesit e klubit kishin perceptim ndryshe,” ka thënë Montella për “Gazzetta dello Sport”.
“I dërgova drejtorit sportiv Massimo Mirabellit të paktën 10 mesazhe në ditë, me vetëm tri fjalë: ‘Mirëmëngjesi, apo natën e mirë, drejtor: Bonucci’,” ka thënë Montella.
Bonucci iu bashkua Milanit këtë muaj për një shumë prej 40 milionë euro, duke qenë një nga transferimet më të bujshme të merkatos së verës.