Milani vijon të ruajë pathyeshmërinë në kampionat, duke qenë skuadra e vetme në 5 ligat kryesore europiane, që e ka ende zero shifrën në kolonën e humbjeve, teksa mbrëmjen e djeshme mposhti Lazion në minutat shtesë dhe e mbylli 2020-ën në krye të renditjes.

Pavarësisht lodhjes dhe mungesave, kuqezinjtë nuk hoqën dorë nga përpjekjet për ta fituar ndeshjen dhe pas dy rasteve të shpërdoruara nga Ante Rebiç, ishte francezi Theo Hernandez ai që shënoi në shtesë golin e tretë dhe i dha fitoren skuadrës së Piolit me shifrat 3-2.

Në përfundim të ndeshjes, trajneri i kuqezinjve pranoi se skuadra nuk e pati aspak të lehtë të marrë 3 pikët ndaj Lazios, por theksoi se diferencën e bëri dëshira për fitore, që te të tijtë mesa duket ishte më e madhe.

“Pas një ndeshjeje si kjo dhe një viti të mbyllur në mënyrë mjaft të mirë, është e drejtë që të festojmë të gjithë bashkë. E dinim që duhej të bënim një sforco shumë të madhe dhe ia dolëm, ndaj jam shumë krenar për djemtë. Pasioni dhe zjarri që kemi brenda vetes, është ai që bën diferencën, por jam i sigurt që kjo skuadër mund të rritet shumë më tepër”, u shpreh Stefano Pioli.

Zlatan Ibrahimovic vijon të mungojë për shkak dëmtimi, por shokët po bëjnë mjaft mirë edhe pa të, ndërsa Pioli shmang komentet për zërat e merkatos dhe flet me superlativa edhe për turkun Hakan Calhanoglu, i cili po negocion rinovimin me kuqezinjtë.

“Mungesa e një kampioni si Ibra ndihet gjithmonë, por ne po shfrytëzojmë të gjithë mundësitë e tjera për të luajtur. Për merkaton e kam thënë që merren drejtuesit e skuadrës, por natyrisht nëse do të ketë ndonjë mundësi për të përforcuar skuadrën do ta bëjmë. Sa i përket Calhanoglu, e di që ka dëshirë të mbetet në skuadër, por aktualisht palët po negociojnë. Është një lojtar fantastik, që ka shumë cilësi teknike dhe mbi të gjitha një shpirt të jashtëzakonshëm sakrifice”, deklaroi trajneri i Milanit.

/Supersport.al

Artikulli paraprakSexcamly Live Webcam Archives
Artikulli tjetërMiami e nis me humbje, fitore me vuajtje për Boston e Sacramento