“Europianin më bëri të thjeshtë si njeri!”. Mërgim Mavraj e ka ditur dhe më parë se pikërisht durimi që ai ka skalitur ndër vite do të jepte frytet e tij. Nuk u dorëzua kurrë, edhe kur situatat iu vunë kundër, edhe kur faktorë të jashtëm dhe emocionalë u bënë pjesë e karrierës dhe jetës së tij (humbja e babait e lëndoi pa masë), apo edhe kur operacioni në gju ishte ai që i hoqi gëzimin për të luajtur ndeshjet e fundit kualifikuese përpara arritjes së madhe, biletës për në Francë 2016… Për Mërgimin, sigurisht, s’ka qenë e lehtë, por mënyra se si ai i ka kaluar këto situata është vërtet diçka e jashtëzakonshme dhe një shembull për këdo.

Tani, e vërteta është se mbrojtësi me origjinë nga Istogu është pjekur aq sa duhet dhe se në këto vitet në vazhdim do të jetë një garanci. Ai e njeh mjaft mirë Bundesligën, duke qenë për të sezoni i shtatë që luan në këtë kampionat elitar. E ka bërë me tre fanella të ndërruara. Fillimisht me Bohum, më pas me Greuther Furth dhe tani me Këlnin. Jo vetëm, por e gjithë karriera e tij futbollistike është ndërtuar në Gjermani. Edhe Seria A do të kishte qenë një ëndërr, por kampionati dhe kultura gjermane i shkon përshtat. “Nuk dua që Mavraj të largohet”, tha trajneri Peter Shtëger, një arkitekt i skemave taktiko-teknike. Jo vetëm kaq,por ai, duke njohur edhe cilësitë e Mavrajt, u detyrua që të kthente rreshtimin e mbrojtjes nga 3 në 4, duke u bërë e zakonshmja 4-4-2.

Sekretet – Një ndër sekretet e mbrojtësit është padiskutim edhe mënyra se ai jeton në përditshmërinë e tij… Mënyra se si e kuron shëndetin është padiskutim aspekti kryesor. Paolo Maldini, që në stërvitjet e Milanit s’kishte munguar thuajse kurrë për më shumë se 15 vjet, gjithmonë ka thënë se “duhet të kesh regjim futbollisti që të bësh futbollistin”. Mavraj e ka. Është ndër ato lojtarë që praktikon fenë myslimane dhe ndjek me përsosmëri çdo hap, por kjo e ka ndihmuar jashtë mase, pasi edhe mënyra se si e bën gjumin, kur zgjohet dhe kur ushqehet janë parësore. Kurrë asnjë gotë alkooli, asnjë ekzagjerim jashtë fushe apo orë të vona. Mes këtyre, edhe një kuriozitet tjetër: në makinën e tij muzika shqiptare nuk mungon kurrë.

Mes yjeve – Ende asnjë humbje në shtatë javë për Këlnin dhe paraqitje gjithmonë mbi mesataren për mbrojtësin 29-vjeçar, i cili është duke u rritur dita ditës. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare po kalon një formë të jashtëzakonshme me fanellën e Këlnit dhe nuk është rastësi që është përzgjedhur përsëri në formacionin ideal të kampionatit nga e përditshmja sportive gjermane “Kicker”.

Besimi i trajnerit u shpërblye siç duhet, pasi Mavraj po dhuron paraqitje të shkëlqyera, aq sa për të dytën herë në vetëm 7 javë kampionat, u zgjodh në formacionin ideal të javës. Aty ai formon dyshen e qendrës të prapavijës me mbrojtësin e Bajern Mynih dhe kombëtares gjermane, Mats Humels, për të cilin kjo ishte hera e parë që rreshtohej mes më të mirëve. Në këto 7 javë, vetëm Riberi ka regjistruar më shumë prani në formacionin ideal, ku është përzgjedhur 3 herë. Ndërsa Mavraj është pjesë e një grupi prej 9 lojtarësh, mes të cilave ka emra si Lahm, Martinez apo Ibisheviç, të cilët koleksionojnë nga dy prani në formacionin ideal.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here