Pas 24 orësh, Silvio Berlusconi do të festojë 80-vjetorin e tij dhe, për një person energjik si ai, ka ardhur koha e të bërit të bilancit. I intervistuar nga revista “Chi”, presidenti i Milanit ka folur për vitet e fundit në drejtimin e kuqezinjve si një peng i madh i jetës së tij.

berluskoni

“E pres këtë ditëlindje të veçantë me një peng të madh, atë që nuk ka mundur të punoj mbi Milanin siç do të kisha dashur. Nëse në vitet e fundit Milani nuk ka qenë skuadra e mëparshme, kjo ka ndodhur vetëm sepse unë nuk pata kohë që të merrem personalisht me të.

Është e lehtë të dëgjosh të tjerët të flasin, por për shumë vite me radhë kam punuar të paktën tri pasdite në javë me avokatët e mi për të përgatitur 3600 seancat gjyqësore të 73 proceseve politike që kam vuajtur mbi shpinë. Gjithsesi, unë vazhdoj të mbetem presidenti i klubit që ka fituar më shumë në historinë e futbollit”.

Vitet ikin

Në lidhje me vitet që kalojnë, Berlusconi shton: “Në jetën time nuk kam menduar kurrë për moshën. Përkundrazi kam jetuar gjithmonë sikur të isha 40, sepse kështu ndihesha; plot kuriozitet, plot dëshirë për të bërë gjëra të ndryshme. Por, papritur, erdhi sëmundja…

berluskoni me trofete

Me operacionin që kalova, mbërriti më në fund bindja se tashmë jam realisht një burrë 80- vjeçar… Ditëlindja ime? Nuk do të bëj asnjë festë të veçantë. Thjesht do të darkoj me pesë fëmijët e mi, të cilëve u jam lutur që të mos më bëjnë dhurata. Nëse duan, le të dhurojnë diçka për bamirësi”, vazhdon ish-kryeministri italian.

Sëmundja

“Nuk e di cila do të jetë e ardhmja ime. Ajo që do të bëj pas kësaj sëmundjeje, ndoshta gjëja më e rëndësishme, do të jetë të kaloj më shumë kohë me fëmijët dhe nipërit e mi. Do t’u dedikoj më shumë kohë personave që dua, ashtu siç bëra këtë verë. Pesë fëmijët dhe 10 nipërit më bëjnë një patriark”.

Artikulli paraprakSigal Prishtina në kryeqytet, Hajrizi në Mitrovicë [FOTO]
Artikulli tjetërTifozët ankohen në çmimet e biletave