Peja ka shënuar fitore në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës në derbin e rivalëve të vjetër me rezultat 89:94 (19:29, 22:20, 23:27, 25:18), në kuadër të javës së tetë të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja nisi e barapeshuar, por Prishtina krijon epërsi 13:7, megjithatë, nga ky moment Peja hyn në një seri prej 17:0, duke kaluar në epërsi 13:24, derisa çereku i parë mbyllet me epërsinë e mysafirëve 19:29. Bardhekaltrit e nisën më mirë periodën e dytë me një seri prej 7:2 për 26:29 dhe më pas ngushtojnë shifrat në 41:43, por mysafirët me gjashtë pikë radhazi mbyllin pjesën e parë me epërsi 41:49.

Verdhezinjtë vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke pasur epërsi deri në 16 pikë, 53:69, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 64:76. Prishtina nuk dorëzohet në 10 minutat e fundit dhe nga 69:84, shkrin epërsinë në vetëm një pikë 83:84. Çastet e fundit ishin dramatike, megjithatë, Peja ishte më e vëmendshme dhe fiton 89:94.

Te Sigal Prishtina u dalluan Fisnik Rugova me 28 pikë e 11 kërcime dhe Edmond Azemi me 25 pikë, kurse te Peja, më i miri ishte Dardan Berisha me 38 pikë e pesë kërcime, kurse u ndihmua nga Drilon Hajrizi me 20 pikë e tetë kërcime dhe Marko Peroviq me 21 pikë e pesë kërcime.

Sigal Prishtina ka dy fitore dhe gjashtë humbje, kurse Peja shtatë fitore dhe një humbje.

Artikulli paraprakHow To Heal A Negative Knee
Artikulli tjetërBashkimi e kaloi me sukses duelin ndaj Trepçës