Paris Saint-Germain synon të befasojë Barcelonën dhe klubet arabe në garën për Bernardo Silvan.
Fantazisti i Manchester City është ende në mëdyshje nëse do të qëndrojë në Angli dhe për momentin nuk e ka marrë në konsideratë ofertën e “The Citizens” për të rinovuar kontratën që skadon në vitin 2025. Klube të shumta pretendojnë shërbimet e portugezit, por së fundmi Parisi është duke lëvizur konkretisht dhe është gati t’i ofrojë Cityt dy lojtarë për shërbimet e Silvës.
Trajneri i parizienëve, Luis Enrique e kërkon me çdo kusht Bernardo Silvan dhe mund të heeqë dorë nga Marco Verrati dhe portieri Gianluigi Donnarumma. Bëhet fjalë për dy nga emrat më të rëndësishëm në organikën e PSG në vitet e fundit, megjithatë francezët janë të hapur për ndryshime dhe po ideojnë një skuadër të re për sezonin e ardhshëm.

Ndaj, Verrati dhe Donnarumma janë në “tavolinë” dhe mund të kalojnë në Angli, sigurisht nëse marrin më parë aprovimin e Pep Guardiolës. Spanjolli e vlerëson shumë kontributin e Bernardo Silvas në 11-tëshen e tij titullare, e nuk duket i prirur të pranojë shkëmbimin, megjithatë vetë drejtuesit e Cityt sipas asaj që raporton “Foot Mercato” janë të gatshëm që të vijojnë negociatat.
/Supersport.al