Aventura e Tiranës në Ligën e Kampionëve ka marrë fund në turin e dytë eliminator, pasi bardheblutë u mposhtën me rezultatin minimal 0-1 nga serbët e Crvena Zvezdës, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Derbi ballkanik u bë edhe më interesant për rrethanat historike mes dy popujve, por në fushën e lojës u mendua vetëm për të luajtur futboll dhe bardheblutë e Emanuel Egbo dhuruan një paraqitje dinjitoze në fushë, por fatin nuk ishte në anën e tyre.
Sfida nisi e qetë për të dy skuadrat, ndërsa shkëndijat e para i dha skuadra serbe, fillimisht nga zhvillimet e një goditjeje nga këndi e më pas me një depërtim të bukur të Katai, por gjuajtja e këtij të fundit ishte e gabuar.
Tirana zgjohet me Muçin, që provon të bëjë i vetëm repart dhe pas disa dyluftimeve interesante me mbrojtësit serbë, rrezikon me një gjuajtje nga distanca, por goditja përfundon jashtë. Pak më vonë është braziliani Elton Cale që lëshon një goditje mjaft të bukur nga jashtë zone, por këtë herë pret saktë portieri i Crvena Zvezdës.
Rasti më i mirë për Tiranën ishte në minutën e 31-të, kur mbrojtësi Erion Hoxhallari pa një vendosje të gabuar të portierit serb dhe e surprizoi nga goditja e dënimit, duke gjuajtur menjëherë drejt kuadratit, por gardiani i Crvena Zvezdës ndali me vështirësi dhe bërë që pjesa e parë të përfundonte në barazim pa gola.
Edhe pjesa e dytë nis me një kërcënim të serbëve, por kuadrati i Likës shpëton mrekullisht pas një topi të devijuar nga mbrojtja bardheblu, ndërsa Tirana provon sërish me Muçin, që në minutën e 59’ i shkoi pranë golit, por topi i gjuajtur prej tij, u përplas në trupin e portierit dhe u ndal në shtyllë.
Sfida u zhbllokua në minutën e 62-të, kur pas zhvillimeve të një goditjeje nga këndi, portugezi Tomane kërceu mbi të gjithë dhe gjuajti saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Ilion Likës.
Tirana provon të reagojë dhe vetëm pak minuta më vonë ka një super rast shënimi. Argjentinasi Torassa nis bukur Cobbinah në zonë, me këtë të fundit që i vetëm përballë portierit serb, provon parabolën, por topi përfundon mbi kuadrat.
Mjaft e gabuar zgjedhja e ganezit, që mund të kishte gjuajtur më mirë, apo të kishte shërbyer lehtësisht për Muçin, që po priste me portën e boshatisur dhe mund të kishte rikthyer baraspeshën.
Egbo nis të bëjë zëvendësime për të freskuar skuadrën, teksa hedh në fushë emra si Toli, Avdiaj, e Vrapi, ndërsa pikërisht ky i fundit i shkoi pranë golit të barazimit, pasi iu vodh bukur mbrojtjes dhe gjuajti me kokë, por topi përfundoi pak jashtë kuadratit të portës kundërshtare.
Vërshëllima finale e arbitrit suedez Sjoberg la në fuqi rezultatin minimal 0-1 në favor të serbëve, që do të vijojnë aventurën në Ligën e Kampionëve, ndërsa Tirana do të duhet të kënaqet me faktin që tani do të luajnë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës.
Vlen të theksohet se serbët ishin favoritë që para takimit, për vetë historinë dhe eksperiencën që kanë, ndërsa Tirana dha maksimumin në 90 minuta, por në fund e penalizoi pikërisht mungesa e eksperiencës dhe fatit.
/Supersport.al