Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të grumbullohet në Poloni para dy ndeshjeve të radhës në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve për botërorin e vitit 2019.
Në kuadër të grupit C, Kosova më 23 shkurt luan në udhëtim ndaj Polonisë në Wloslawek, kurse më 26 shkurt ndaj Lituanisë në Klaipeda, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kosova i ka humbur dy ndeshjet e para, me Lituaninë në shtëpi dhe me Hungarinë në udhëtim. Derisa Lituania është shumë më e fortë se në nëntor, Kosova do të ketë forcë thuajse të njëjtë.
Përzgjedhësi Brad Greenberg ka ftuar 13 lojtarë që do të grumbullohen në Torun të Polonisë më 19 shkurt.
Për dallim nga ndeshjet e nëntorit, amerikani Greenberg ka kthyer në përfaqësuese Erjon Kastratin që ishte i lënduar, por edhe Jaren Sinën që është bërë me skuadër së fundi dhe qendrën amerikane Shawn Jones. Jones dhe plejmejkeri Scott Bamforth do të konkurrojnë për vendin e vetëm për lojtarë të natyralizuar.