Sezoni i ri në Formula 1 ka nisur me dominimin absolut të Red Bull-it dhe dy pilotëve të saj Max Verstappen dhe Sergio Perez.  Edhe në Australi, Verstappen triumfoi në fund, ndërsa Ferrari vijon të jetë një zhgënjim.

Në garën e fundit, te “kokëkuqja” pati pakënaqësi të shumta për faktin se Carlos Sainz u penalizua me pesë sekonda. Pavarësisht se kaloi vijën e finishit  i katërti, spanjolli zbriti në vendin e 12-të, pra jashtë zonës së pikëve.

Së fundmi, skuadra e Ferrarit ka marrë një vendim dhe do të apelojë dënimin kundër Sainz, që për italianët është i padrejtë.  Kontakti Sainz-Alonso në garën e Melburnit, kishte tre flamuj të kuq dhe episodi u shkaktua nga një gomë e humbur nga piloti Magnussen.

Problemi është se xhiroja në fjalë nuk ekziston në fakt, sepse pas aksidenteve të shumta dhe shfaqjes së flamurit të tretë të kuq, pozicionet e mëparshme u rikthyen në rinisjen e radhës.

Pra Alonson u nis sërish përpara pilotit të Ferrarit. Në fund podiumi u plotësua nga Verstappen, Hamilton dhe Alonso. Gara e radhës në Formula 1 do të zhvillohet në Azerbajxhan, në datat 28-30 prill.

/Supersport.al

Artikulli paraprakDominimi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Struga për të shkruar historinë
Artikulli tjetërChelsea angazhon trajnerin argjentinas