Për herë të parë, që nga viti 1956, këtë vit nuk do jepet çmimi i Topit të Artë për shkak të ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia e Koronavirusit. Ky trofe individual akordohet nga revista e njohur franceze “France Football” në shenjë njohjeje për futbollistin dhe futbollisten më të mirë të vitit.
Botuesi i “France Football” tha në një deklaratë, se “nuk do të ketë akordim të çmimit në vitin 2020, sepse rezulton, se nuk janë përmbushur të gjitha kushtet. Ne besojmë se një vit i tillë nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si i zakonshëm.”
Organizatorët e “Topit të Artë” mendojnë se mosluajtja e ndeshjeve për dy muaj (disa kompeticione janë shtyrë) si dhe zhvillimi i një pjesë të sezonit në kushte aspak të përshtatshme (me dyer të mbyllura, apo duke shkurtuar ndeshjet, sikurse do të ndodhë në fazën me eliminim direkt në Champions dhe Europa League) nuk të japin mundësinë për të formuar një gjykim objektiv.
Fituesit në fuqi të Topit të Artë janë Lionel Messi për meshkuj dhe Megan Rapinoe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për femrat.
/Supereport.al