“No Menqa, no party”, është një ndër parullat e vendosur nga tifozeria e Partizanit në stadium në mbështetje të lojtarit të tyre Mentor Mazrekaj. Mesfushori ishte çelësi i suksesit për të kuqtë në ndeshje ndaj Flamurtarit, pasi shënoi një supergol, fitoi një penallti dhe pati disa shpërthime mjaft të mirë në krahun e majtë të fushës. Një trepikësh i fituar praktikisht prej tij. E sa herë që Mazrekaj rikthehet dhe jep përformanca të këtij niveli, të zakonshme për klasin e tij, por që bëjnë diferencën në batakun e futbollit tonë, vetvetiu lind edhe pyetja, a është ky rikthimi i tij?

Shpresojmë dhe e urojmë të gjithë, jo vetëm për “Menqen”, por edhe për dëshirën tonë si futbolldashës për të parë një “balerin” në stadiumet tona ku shohim  përgjithësisht “buaj” me shumicë, që topin e konsiderojnë të huaj. Ndryshe nga këto të fundit, kosovari ledhatohet me sferën dhe bën diferencën që në prekjen e parë. Ndeshja ndaj Flamurtarit ishte shembulli më i mirë, por sigurisht nuk mund të mjaftojnë 69 minuta për të vendosur vulën e rikthimit. Diçka të tillë nxituam ta themi edhe para dy javësh dhe ndodhi ajo që jemi mësuar të dëgjojmë, një kapje dhe mërzitje me trajnerin Starova për arsye se nuk e kishte përfshirë në formacion me Kukësin dhe Menqa u kthye përsëri në versionin “bad boy”.

Kalvari i problemeve – Mazrekaj po kalon momentet më të vështira të karrierës. Ai nuk ka vazhdimësi që prej dy sezonesh. Herë nga problemet me dëmtime e herë nga përplasjet që ka pasur me trajnerët italianë. Agostineli ishte i pari që e nxori jashtë formacioni, pasi sipas ish-trajnerit të kuq, Mazrekaj nuk mbronte dhe kjo i kushtonte ekipit sidomos në momentet që humbiste topin dhe skuadra ishte e pavendosur. Sikur të mos mjaftonte kjo, “Menqa” përjetoi një dëmtim mjaft të rëndë në kavilje. Operacion dhe një fazë e gjatë rikuperime. Futbollisti nuk po arrinte të bashkohej me grupin dhe nuk gjente formën e tij më të mirë. Kishte problem në ecje dhe çalonte.

Me Sormanin në krye, marrëdhëniet ishin edhe më të ftohta, pasi italiani e kishte nxjerrë jashtë ekipit. Presidenti Demi kishte urdhëruar që Mazrekaj të stërvitej me ekipin e parë, por “diktatori” Sormani nuk e pranonte. Situata ishte e tensionuar, forma e dobët e mesfushorit i jepte të drejtë kreut të ekipit.

Më pas, përsëri “pit-stop” në infermieri, operacioni kishte shkuar keq dhe lojtari rrezikonte karrierën. Mjekët që kishin kryer operacionin e mesfushorit nuk e kishin realizuar me sukses dhe Mazrekaj po vuante shumë. Pas testeve dhe kontrolle të tjera më në fund u mor vesh se çfarë i shkaktonte dhimbjet dhe e pengonte lojtarin të jepte më të mirën. Pas një terapie të gjatë më në fund, Mazrekaj e kishte kaluar krejtësisht dëmtimin dhe u “rible” në janar. Nga presidenti Demi e deri te trajneri Starova të gjithë ishin në unison, Mazrekaj ishte goditja e kësaj merkato.

Testet në fazën përgatitore në Turqi i dhanë të drejtë këtyre zërave. 28-vjeçari gjeti golin dhe minutuat. Me rikthimin e fazës së dytë të kampionati pati minuta për të madje Starova i besoi edhe fanellën e titullarit.   Në derbi dhe ndaj Teutës, dy takime që Mazrekaj nuk bëri mirë dhe u zëvendësua me Tiranën pas pjesës së parë, ndërsa ndaj Teutës 15 minuta para fundit.  Pas derbit të kryeqytetit vinte edhe ndeshja me Kukësin, ku mesfushori nuk u përfshi në formacion dhe pati një debat me Starovën që nuk e aktivizoi asnjë minutë ndaj verilindorëve. Karakteri i tij i vështirë solli edhe njëherë zërat për një largim të mundshëm të tij në verë.  Starova i dha përsëri mundësinë ndaj Laçit duke e aktivizuar 45 minuta, më pas i besoi edhe formacionin me Flamurtarin. “Menqa” e shpërbleu në mënyrën e duhur…

Raporti: Sportekspres

Artikulli paraprakPërplasja Conte – Mourinho: Momenti kur trajnerët bëhen protagonist të panevojshëm në një ndeshje të madhe [VIDEO]
Artikulli tjetërFurtunë dënimesh te Milan-i