Dy rezultate negative radhazi në Bundesliga, pikërisht barazimi ndaj Arminia Bielefeld në shtëpi dhe disfata ndaj Eintracht Frankfurt në transfertë ishin shumë për Bayern Munich që u rikthye te suksesi në javën e 23-të dhe e bëri këtë me goleadë. Bayerni triumfoi me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Koln në Allianz Arena në një ndeshje të dominuar që nga fillimi nga bavarezët. Choupo-Moting sulmuesi i ardhur verën e kaluar nga PSG kaloi në epërsi skuadrën e Hansi Flick që në minutën e 18-të. Në të 33-ën erdhi edhe rrjeta e të përhershmit Robert Lewandowski i cili i çoi shifrat në 2-0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë ndërkohë që reagimi i Koln ku titullar ishte edhe mesfushori shqiptar Rexhbecaj erdhi me Skhiri  në minutën e 49-të. Gjithsesi Lewandowski riktheu sërish qetësinë me golin e dytë personal dhe të 28-in në këtë sezon të Bundesligas, duke e çuar në 3-1 rezultatin në favor të Bayernit. Për ta bërë më të bukur këtë fitore të bavarezëve mendoi Serge Gnabry që në 10 minutat e fundit të ndeshjes realizoi dy herë për fitoren finale të Bayernit me rezultatin 5-1. Me këtë sukses kampionët e Gjermanisë u ngjitën në kuotën e 52-të pikëve, teksa kryesojnë të vetëm Bundesligan pas 23 javësh.

Në ndeshjet e tjera të javës së 23-të të Bundesligas Dortmundi mposhti 3-0 Arminia Bielefeld me gola të Dahoud, Sancho dhe Reinier, ndërsa të thjeshtë e patën dhe Shtuttgart e Wolfsburg që triumfuan respektivisht me shifrat 5-1 dhe 2-0 ndaj Schalke 04 dhe Hertha Berlin.

/Supersport.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here