Ervin Skela nuk do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur, por do të vazhdojë edhe për një vit tjetër të aktivizohet te skuadra e Hanau 93, të cilës i është bashkuar dy vite më parë. Sigurisht, bëhet fjalë për futbollin amator, ku kontributi i Skelës këtë sezon nuk ka qenë aq i madh sa shpresonte mesfushori shqiptar, për shkak të udhëtimeve të vazhdueshme të tij drejt Shqipërisë.

Skela po merr Licencën UEFA Pro dhe për këtë arsye, gjatë vitit ka ardhur thuajse çdo muaj në Shqipëri për të ndjekur orët e kursit teorik dhe praktik. Ndërkohë, ish-mesfushori i përfaqësueses shqiptare njëkohësisht është edhe trajner në shkollën e futbollit të Eintraht Frankfurt, ku po hedh hapat e parë të karrierës së tij të re.

Por pak nga dëshira për të qëndruar në formë, e pak sepse janë bërë një grup miqsh, Skela nuk heq dorë as nga futbolli i luajtur me ekipin e Hanau 93, të cilin e ndihmoi të ngjitej në kategorinë e 6. Objektivi i radhës është që ekipi të ngjitet në kategorinë e 5, një arritje historike për klubin e vogël, ndaj Skela ka vendosur që të “rinovojë” edhe për një vit me të, duke shprehur gatishmërinë që të japë kontributin e tij edhe në sezonin e ardhshëm për të siguruar këtë arritje që do të ishte historike.

Artikulli paraprakKonfirmohet për 29 maj miqësorja Shqipëri– Kosovë
Artikulli tjetërMungoi në konferencën e Iniestës, Mesin e pengoi… ?