Shtrëngimi i munguar i duarve mes Pelle dhe Ventura-s ka qenë vetëm episodi i fundit i një serie të gjatë fërkimesh që janë parë në fushë mes një lojtari dhe një trajneri. Për shembull, te kombëtarja e Italisë, është i famshëm episodi që ka pasur për protagonist Giorgio Chinaglia-n, i cili në Botërorin e 1974-ës ka shfryrë kundër trajnerit Ferruccio Valcareggi, pasi është zëvendësuar me Pietro Anastasi-n gjatë një ndeshjeje kundër Haitit. Duke mbetur tek “axurrët”, është e pamundur të harrohet ajo që ka ndodhur në USA ’94 gjatë ndeshjes Itali-Norvegji: Italia ka mbetur me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Pagliuca-s dhe trajneri i atëhershëm, Sacchi, ka nxjerrë nga fusha Roberto Baggio-n, që e ka quajtur “të çmendur” teknikun para gjithë botës. Si Chinaglia ashtu edhe Baggio nuk kanë vuajtur asnjë pasojë për atë që ka ndodhur.
Kjo listë bëhet akoma më e gjatë nëse kalojmë nga kombëtaret te skuadrat e klubeve. Trajneri aktual i Milan-it, Montella, në 2001-in ka sharë Capello-n para se të futej në fushë kundër Napoli-t: fyerje dhe shishe e hedhur drejt teknikut, me të cilin nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie të mirë. “Don Fabio”, i cili njihej për personalitetin e tij të fortë, ka bërë fjalë edhe me Panucci-n dhe Cassano-n te Roma. Në vitin 2004: Capello i ka kërkuar Panucci-t të futet në fushë kundër Reggiana-s, por mbrojtësi ka refuzuar dhe ka qëndruar në stol; ndërsa, me “Fantantonion” ka ardhur diskutimi i radhës në janar, me barezin që ka braktisur stërvitjen. Në shtëpinë e Juves, në 2010-ën, gjatë ndeshjes me Bari-n, Del Piero i është kundërpërgjigjur ashpër Zaccheroni-t, që ka kërkuar zëvendësimin e numrit 10, ndërsa Marchisio ishte i dëmtuar: Alex, shumë i irrituar, i ka bërë me shenjë drejt mesfushorit, dhe pak sekonda më vonë ka qenë pikërisht Marchisio që është zëvendësuar.
Në Itali askush nuk mund ta harrojë atë që ka ndodhur në 2012-ën mes Delio Rossi-t dhe Adem Ljajic, i cili ka reaguar pasi është zëvendësuar, duke bërë disa duartrokitje ironike: trajneri është përgjigjur duke sulmuar fizikisht lojtarin; klubi ka vendosur të shkarkojë trajnerin dhe të pezullojë lojtarin. Dy ish-interistë si Balotelli dhe Mancini kanë qenë protagonistë i një fërkimi në 2011-ën: Mario, gjatë një miqësoreje kundër Los Angeles Galaxy, provoi të shënonte me thembër, ndërsa ishte i vetëm përballë portierit; “Mancio” e zëvendësoi menjëherë dhe sulmuesi protestoi në mënyrë të dukshme. Gjithmonë Mancini, gjithmonë në 2011-ën, është përballur me Tevez, i cili refuzoi të futej në fushë gjatë një ndeshje me Bayern Munich: “Apache” u nxor jashtë skuadrës, për t’u kthyer pasi kërkoi falje.
Në Angli, në 2003-in, sherri mes Ferguson dhe Beckham ka hyrë në histori: gjatë pushimit mes pjesëve të lojës në ndeshjen e Kupës së Anglisë kundër Arsenal, Sir Alex ka hedhur një këpucë që ka goditur në fytyrë mesfushorin, i cili disa muaj më vonë u transferuar te Real Madrid. Në lidhje me personalitet e forta, në 2010-ën fati ka vënë përballë Zlatan Ibrahimovic dhe Pep Guardiola te Barcelona. Marrëdhënia mes të dyve është përkeqësuar ndjeshëm pas gjysmëfinales së Champions League kundër Inter-it: suedezi ka sulmuar verbalist trajnerin dhe të dy pothuajse kanë kaluar te duart. Më pas, verën pasardhëse ai u kthye në Itali për të veshur fanellën e Milan-it.
Në 1997-ën, Roy Hodgson, në kohën kur drejtonte Inter-in, arriti të acaronte edhe Javier Zanetti-n gjatë ndeshjes së kthimit në Kupën UEFA kundër Schalke-s: ish-trajneri i Anglisë, në kohën shtesë, ka zëvendësuar argjentinasin, i cili nuk ka qenë aspak i kënaqur dhe nuk e ka fshehur pakënaqësinë tij. Nga ai moment dhe në vazhdim, karriera e kapitenit historik të Inter-it vazhdoi me zikaltrit për 17 vite të tjerë. Një karrierë e karakterizuar nga eleganca, edukata, ndershmëria dhe ekuilibri. Kjo tregon se, të paktën një herë në jetë, edhe ata më të qetët gjejnë një arsye për të çuar në djall trajnerin e tyre.