Transferimi i Neymarit do të kryhet. E kjo, sepse çdo ditë që kalon pa mbajtjen e një qëndrimi zyrtar nga ana e vet lojtarit i shton mundësitë e kalimit të tij te parizienët.
Megjithatë, edhe në Katalunjë duket se kanë nisur të pranojnë faktin që po e humbasin “O Ney”-n.
E përditshmja katalanase “Sport” e hap kopertinën e sotme me titullin “Ikën”, ndërsa sipas “Mundo Deportivo”, përpara kemi ditë vendimtare, për të mos thënë orë vendimtare.
Ai që i shton edhe më shumë zërat e largimit është fakti që Neymar nuk është rikthyer në Barcelonë pas turit në Shtetet e Bashkuara, së bashku me shokët e tjerë të skuadrës, por aktualisht ndodhet në Kinë, më saktë në Shanghai, për një seri takimesh tregtare. Prej aty, sipas “Mundo”-s, Neymar do të niset të martën për në Doha, ku do të kryejë vizitat mjekësore me Paris SG.
Ndërkohë, babai i tij, që ka një rol të rëndësishëm në transferimin e lojtarit, ka zbarkuar në Barcelonë. Ai ka udhëtuar me një njëjtin avion me zëvendëspresidentin e Barçës, Manel Arroyo, e gjithashtu edhe me ish-kapitenin Carles Puyol. Edhe pse i pyetur nga reporterët, ai nuk ka dashur të japë deklarata.
Por kush dhe si do të paguhet klauzola e prishjes së kontratës së Neymar me Barcelonën? Sipas shtypit francez, PSG duket se ka gjetur mënyrën për të shmangur rregullin e “Fair Play”-t financiar.
/Top-Channel