“Falënderoj Zotin për lumturinë që më dha në këtë mbrëmje, por pasi kam folur me familjen time vendosa të mos jem më kapiteni i Brazilit.” Këto kanë qenë fjalët befasuese të sulmuesi Neymar, menjëherë pasi udhëhoqi “Selsesao” drejt suksesit në “Rio 2016” ku fitoi medaljen e artë pasi mposhti Gjermaninë në finale me penallti. “Më vjen keq që ka brazilianë që janë mërzitur nga suksesi ynë, nga fitorja jonë. Ju përgjigjëm të gjithëve në fushën e lojës. Tani, trajneri Tite duhet të gjejë një kapiten tjetër,” – deklaroi futbollisti i Barcelonës.
“Çfarë ndjesish kam? Nuk arrij t’ia u përshkruaj me fjalë. Realizova një ëndërr duke fituar medaljen e artë dhe fakti që e fitova në shtëpinë time më bën shumë krenar, – ka vazhduar Neymar, duke mos dashur të thellohet në përplasje me kritikën. – Penalltia vendimtare? Në atë moment e vetmja gjë që kisha në mendje ishte të shënoja me çdo kusht.” Ndërkohë, trajneri i kombëtares olimpike, Rogerio Micale shtoi: “Eshtë një gjest unik që Neymar e lë në dorë të Tite caktimin e kapitenit të ardhshëm. Unë doja që ai të ishte kapiten, sepse ishte ideali për ta bërë diçka të tillë.”