Kamza fitoi ndaj Kukësi, por ka edhe të tjera “rezultate” pozitive. Dje debutoi me ta Argjend Malaj, mesfushori i ardhur nga Skënderbeu, i cili zbriti në fushën e blertë pas nëntë muajsh. Ish-futbollisti i Tiranës ndeshjen e fundit e kishte luajtur në maj të vitit 2017 dhe këtë janar iu bashkëngjit skuadrës së drejtuar nga Ramadan Ndreu. Mungonte Arrabal dhe Malaj e nisi nga minuta e parë. Sigurisht që është ndjerë mirë në fushë dhe nuk i ka shmangur falënderimet.
“Falënderoj Zotin që e ka bërë të mundur që unë të rikthehesha në fushë dhe të luaja ndeshjen e parë pas 9 muajsh. Asgjë nuk ishte e thjeshtë, por falë familjes time që më ka qëndruar pranë dhe me ka mbështetur dhe falë Ervin Meqikukiqi çdo gjë ka kaluar me sukses. E fundit, por jo me pak e rëndësishme, është edhe ekipi i Kamzës, që më ka suportuar dhe ka pasur besim tek unë”, shkruan mesfushori në llogarinë e tij në “Facebook”.
Malaj pat pësuar një dëmtim gjatë kohës që luante me Skënderbeub. Ai këputi ligamentin dhe minimalisht për të qenë gati i duheshin gjashtë muaj pas operimit. Kthimi i tij në fushën e blertë zgjati dhe më shumë, por tanimë ai ka nisur të luajë dhe pret të fitojë formën e mëparshme që bindi korçarët ta merrnin nga Tirana.