Para gjashtë muajsh Antalya ishte nikoqire e ndeshjes madhështore ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, e cila ishte zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Rusia 2018”, në praninë e rreth 30 mijë shikuesve.

Edhe pse e re për nga përvoja përfaqësuesja kosovare kishte shkëlqyer me lojë në Turqi, ku kishte mundësi reale t’i shpëtonte edhe humbjes prej 2:0. Të dyja këto skuadra mike të dielën do të takohen sërish, por në Shkodër, ku Kosova do të jetë nikoqire e turqve në ndeshjen kthyese, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Dhe pak ditë para këtij dueli vërehen shenja që japin indikacione për një ndeshje të zbehtë. Të dyja skuadrat drejt Shkodrës pritet të udhëtojnë me mungesa goxha të mëdha. Kosovës sigurt do t’i mungojë mbrojtësi i rëndësishëm, Benjamin Kololli, i cili është i lënduar. Të lënduar janë edhe Valon Berisha, Samir Ujkani, për të cilët nuk do të dihet nëse do të luajnë deri në ditën e lojës. Në pikëpyetje të madhe janë edhe Avni Pepa, e deri diku edhe Anel Rashkaj.

Telashe ka edhe Turqia e Fatih Terimit, e cila po përgatitet për lojën ndaj Kosovës në një kamp të vendosur në Slloveni. Serdar Gurlerit është larguar nga kampi i kuq me leje, ndërsa lëndimi e ka larguar edhe Volkan Shen. Kurse ylli i skuadrës, Arda Turan, është përjashtuar nga skuadra për shkak se është treguar i padisiplinuar, duke e sulmuar një gazetar.

Zëri shkruan se kjo ka bërë që atmosfera në mesin e turqve të prishet me të madhe. Mediet turke kanë raportuar se trajneri Terim po bën çmos që ta mbajë lart moralin në skuadër, e cila nuk guxon të gabojë në duel me Kosovën, pasi çdo pikë e humbur mund t’i kushtojë me eliminim nga gara për kualifikim në Botëror.

Në anën tjetër tash për tash nuk po vërehet interesim aq i madh te kosovarët për këtë ndeshje, e cila ka mbetur nën hijen e politikës, pasi në të njëjtën ditë, pra të dielën, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Qytetarët janë të interesuar për ta kryer obligimin për të votuar, ndërsa po i përtojnë edhe udhëtimit të largët deri në Shkodër, por edhe shpenzimeve. Ndërkohë, edhe më pak interesim vërehet te kosovarët e besimit islam, të cilët e agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit.

Pavarësisht rrethanave futbollistët që do të zbresin në fushë do të bëjnë çmos për të fituar. Turqisë i duhen tri pikë për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Botëror, kurse Kosova është tepër e etur për ta shënuar fitoren e parë në këtë kampanjë.

Kroacia është e para në Grupin I, me 13 pikë, e ndjekur nga Islanda që ka 10 sosh. Ukraina e Turqia kanë nga 8 pikë, Finlanda e ka vetëm një, sa ka edhe Kosova që është e fundit. /Zëri/

Artikulli paraprakReal Madrid afër vazhdimit të kontratës me Zidane
Artikulli tjetërSpektakli në Melbourne Cricket Ground i takoi Argjentinës