I mërzitur për faktin që Zinedine Zidane s’ka besim tek ai, James Rodriguez e prishi paksa festën e Real Madrid-it pas triumfit në Botërorin për klube në Japoni. Skuadra madrilene sot fitoi 4-2 në finale ndaj Kashima-s, por kolumbiani pas ndeshjes paralajmëroi largimin. “S’garantoj se do të qëndroj. Kam disa oferta dhe shtatë ditë kohë për t’u menduar”, – tha ai.
Ky reagim i mesfushorit nuk ka pëlqyer “Galaktikëve”. Më saktë, koha jo e përshtatshme. I pyetur për këtë temë, Sergio Ramos shprehu keqardhje që shoku i tij i skuadrës shprehu pakënaqësitë e tij në një ditë feste. “Nuk jam unë ai i cili duhet të komentojë për gjendjen personale të James-it, por sot ishte një ditë për të gëzuar, jo të përqendrohemi te çështjet e tjera”, – tha spanjolli.
Ndërkohë, tifozët madrilenë nuk janë edhe aq kundër ish-lojtarit të Monaco-s. Në sondazhin e gazetës “Marca” me pyetjen “A duhet ta shesë Real Madrid James-in?”, 54% e lexuesve deri tani janë përgjigjur “po” dhe pjesa tjetër është përgjigjur “jo”. Kjo do të thotë se hierarkia e “Los Blancos” duhet të mendohet mirë për të ardhmen e 25-vjeçarit, sepse ka shumë mbështetës.