Normalisht, për ndeshjen Cagliari-Pescara zor se i interesoi ndokujt këtë të diel, pasi ishte një ndeshje aq pa vlerë, saqë nëse nuk do të luhej fare nuk do ta kuptonte njeri sidimos në vendin tonë.
Fitoi Cagliari 1-0, asgjë për tu mbajtur mend, por mendoi Sulej Muntari ta kthente nê ndeshje për kopertinat e gazetave botërore
Ish-mesfushori i Milanit, tani te Pescara, u ngacmua gjatë gjithë ndeshjes, fillimisht nga një fëmijë, të cilit në pushim i dha fanellën si mesazh sensibilues, duke folur edhe me prindërit e tij.
Në pjesën e dytë koret raciste u shtuan, aq sa ganezi e humbi durimin dhe shkoi poshtë tribunës nga vinin ofendimet.
Gjesti nuk i pëlqeu gjyqtarit, i cili i dha karton të verdhë Muntarit, pasi ndalohen dialoge të tilla me tifozët gjatë ndeshjes.
I tërbuar, Muntari i kërkoi llogari gjyqtarit pse nuk reagoi ndaj koreve raciste dhe në shenjë proteste braktisi ndeshjen, me Pescarën që i luajti minutat e fundit me 10 lojtarë.