Barcelona ngec në premierën e sezonit, me katalanasit që nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 në transfertën e Getafe-s, ndërsa në “Alfonso Perez” kartonat e verdhë dhe të kuq ishin me shumicë.

Trajneri Xavi Hernandez zbriti nga minuta e parë me disa ndryshime, ndërsa debutuan Gundogan dhe Romeu, por që nuk mjaftuan për të marrë pikët e plota.

Kampionët e Spanjës dominuan takimin, por vuajtën mungesën e finalizimit, ndërsa në fundin e fraksionit të parë, Raphinha u ndëshkua me kartonin e kuq në minutën e 42-të duke lënë skuadrën me dhjetë lojtarë.

Në pjesën e dytë, rezultati nuk ndryshoi, por u barazua edhe numri i lojtarëve në fushën e lojës, kjo pasi Mata u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 57-të.

Barcelona krijoi përsëri një volum të lartë loje, rastet nuk munguan, por goli ishte një mision I pamundur, ndërsa arbitri Grado nuk kurseu edhe trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez në minutën e 70-të, me këtë të fundit që u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq.

Në fund 0-0 dhe Barcelona e nis kështu rrugëtimin për të mbrojtur titullin kampion, ndërsa për Getafen mund të konsiderohet një pikë me shumë vlera.

/Supersport.al

Artikulli paraprakAncelotti merr lajmin e keq, sa do të mungojë mbrojtësi i Realit
Artikulli tjetërFutbollisti më i shtrenjtë në histori, Neymar çuditërisht thyen edhe një rekord tjetër