SHPËRNDAJE

Roma triumfoi me rezultatin 00-2 në transfertën rumune ndaj Cluj dhe siguroi kalimin për në fazën e 1/16-ave të Ligës së Europës, ndërsa tashmë do të duelojë për vendin e parë me zviceranët e Young Boys.

Ndonëse me shumë mungesa nga formacioni titullar, verdhekuqtë menaxhuan mirë transfertën rumune dhe pas një pjese të parë në barazim pa gola, gjetën avantazhin me autogolin e Debeljuh, para se Veretout të vuloste suksesin nga pika e penalltisë.

Fitore me të njëjtat shifra mori edhe Napoli në shtëpi përballë kroatëve të Rijekës, duke shkuar në kuotën e 9 pikëve, por pa e prerë ende biletën për në raundin tjetër.

Në një mbrëmje shumë të ndjerë për shkak të ndarjes nga jeta të legjendës argjentinase, por edhe napolitane, Diego Armando Maradona, “të kaltrit” zbritën të gjithë në fushë me fanellën me numër 10 dhe emrin e “El Pibe D’Oro”-s mbi shpinë.

Jashtë stadiumit që tani e në vijim do të mbajë emrin e Maradonës, ishin grumbulluar mijëra tifozë që këndonin e ndiznin flakadanë në homazh të ndarjes nga jeta të 60-vjeçarit, ndërsa në fushë ishin Politano dhe Lozano që shënonin për t’i dhënë tre pikët skuadrës së Gattusos.

Tottenham fitoi pa problem me rezultatin e thellë 4-0 ndaj bullgarëve të Ludogorets, ndërsa skocezët e Rangers shpërdoruan avantazhin e dyfishtë ndaj Benficës, pasi nxorën topin dy herë nga rrjeta në minutat e fundit dhe nuk shkuan përtej barazimit 2-2.

Fitore të thellë 4-1 mori edhe Bayer Leverkusen ndaj izraelitëve të Hapoel Beer Sheva, me gjermanët që tani janë vetëm një hap larg kalimit në fazën tjetër. Ndërsa PSV Eindhoven përmbysi grekët e PAOK nga 0-2 në 3-2 dhe u fut plotësisht në garë për kualifikim.

/Supersport.al