Napoli mposhti 2-1 Romën në San Paolo në supersfidën që mbylli javën e 30-të të Serie A duke barazuar pikërisht verdhekuqtë në kuotën e 48 pikëve në vendin e 5-të të renditjes. Roma ndërkohë pësoi humbjen e 3-të rresht dhe tashmë ka hyrë në një krizë të thellë teksa zona Champions shkon në 15 pikë larg dhe 8 javë përpara fundit kthehet në një mision të pamundur për skuadrën e Paulo Fonsecas që tashmë rrezikon shkarkimin. Të tre golat e sfidës në San Paolo u shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht në minutën e 55-të Callejon zhbllokoi shifrat pas asistit të Mario Ruit. Por festa e Napolit nuk zgjati shumë pasi Mkhitaryan barazoi shifrat shumë shpejt. Megjithatë në minutën e 82-të me një supergol Lorenzo Insigne i dha fitoren Napolit.

Në ndeshjet e tjera të javës së 30-të, Atalanta mori fitoren e 8-të rresht dhe të 10-ën radhazi mes kampionatit dhe Championsit, pasi mposhti me rezultatin minimal 0-1 Cagliarin brenda në Sardenjë. Në një ndeshje ku Gian Piero Gasperini kishte bërë shumë rotacion vendosi një gol i Luis Muriel me penallti në minutën e 27-të i Luis Muriel, penallti që solli edhe largimin nga fusha me karton të kuq të Carbonit për Cagliarin. Me këtë fitore bergamaskët e ngushtuan në vetëm -1 pikë diferencën me Interin e vendit të tretë. Fiorentina u rikthye te fitorja pas suksesit 1-2 në fushën e Parmës, Sampdoria iu largua edhe më shumë fundit të renditjes falë suksesit 3-0 ndaj Spal, Brescia mori një fitore jetike në garën për mbijetesë me rezultatin 2-0 ndaj Veronës, ndërsa Genoa mori një barazim në limite me shifrat 2-2 ndaj Udineses me golat e Pandev dhe Pinamontit.

/Supersport.al

Artikulli paraprakShocking Details About Asian Mail Order Brides Told By A Professional
Artikulli tjetërBarça nuk gabon 3 herë rresht, “mbyt” nëndetsen e verdhë!